Orbani e akuzon BE-në se po mundohet ta rrëzojë Qeverinë e Hungarisë - NACIONALE

Orbani e akuzon BE-në se po mundohet ta rrëzojë Qeverinë e Hungarisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e akuzoi të mërkurën ekzekutivin e Bashkimit Evropian se po mundohet që ta rrëzojë nga pushteti kabinetin e tij dhe të vendosë një “qeveri kukull”, duke e krahasuar protestën e tij me kryengritjen kundër sovjetikëve më 1956.

Orbani, që ballafaqohet me rrezikun më serioz ndaj pushtetit të tij 14-vjeçar, pasi një parti opozitare, e udhëhequr nga një figurë e re, po shënon rritje të përkrahjes në sondazhe, foli para mbështetësve në përvjetorin e revoltës kundër mbizotërimit sovjetik, që ishte shtypur nga Ushtria e Kuqe, raporton agjencia “Reuters”.

Kryeministri hungarez, që në mënyrë të përsëritur është përplasur me udhëheqës të BE-së, më së voni në Parlamentin Evropian më herët këtë muaj, tha se politikat e tij sovrane në lidhje me luftën në Ukrainë dhe emigrantët janë të papranueshme për Brukselin.

“Ne e dimë që ata duan të na detyrojnë në luftë [në Ukrainë], se duan të na imponojnë emigrantët e tyre mbi ne…, dhe t’ua dorëzojnë fëmijët tanë aktivistëve gjinorë” – tha ai gjatë fjalimit në një skenë të vendosur në Parkun “Millenaris” në Budapest.

“Ne e dimë se ata kanë një qeveri kukull [në mendje], partinë që ata duan të na e imponojnë neve” – shtoi Orbani, duke aluduar te partia Tisza e udhëheqësit opozitar, Peter Magyar. Orbani e akuzoi Magyarin për “ftim të të huajve që ta ndihmojnë kundër hungarezëve”.

Komisioni Evropian nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment.

Lajme të ngjashme