Opinion domethënës: GjND-ja thotë se ndryshimi i klimës është “kërcënim urgjent dhe ekzistencial” - NACIONALE

Opinion domethënës: GjND-ja thotë se ndryshimi i klimës është “kërcënim urgjent dhe ekzistencial”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) të mërkurën e nënvizoi “kërcënimin urgjent dhe ekzistencial që paraqitet nga ndryshimi i klimës”, ndërsa filloi të lexohej një opinion për detyrimet ligjore të shteteve që të ndërmarrin masa.

Opinioni ligjërisht jo i detyrueshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e njohur edhe si Gjykata Botërore, pritet që ta përcaktojë drejtimin e veprimeve për klimën në të ardhmen në mbarë botën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Lirimi i gazrave serrë është i shkaktuar pa mëdyshje nga aktivitetet njerëzore të cilat nuk janë të kufizuara në aspektin territorial” – tha gjykatësi Yuji Iwasawa. Leximi i opinionit po vazhdonte dhe gjykata ende nuk i kishte njoftuar konkluzionet.

Para leximit të opinionit nga gjykata, mbështetës të veprimeve për mbrojtjen e klimës u mblodhën para ndërtesës së GjND-së, duke brohoritur: “Çfarë duam ne? Drejtësi klimatike! Kur e duam këtë? Tani!”

Edhe pse nuk është ligjërisht i detyrueshëm, opinioni i 15 gjykatësve të GjND-së në Hagë do të bartë peshë ligjore dhe politike dhe në rastet e ardhshme për klimën nuk do të mund të shpërfillet ky mendim, thonë ekspertët ligjorë.

“Është shumë i rëndësishëm, mund të jetë njëri nga vendimet ligjore me më së shumti pasoja në kohën tonë për shkak të nivelit të çështjeve që ai i prek, të cilat shkojnë deri në vetë zemrën e drejtësisë klimatike” – tha Joie Chowdhury, zyrtare e lartë ligjore në Qendrën për Drejtësi Mjedisore Ndërkombëtare.

Dy pyetjet që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ua kishte shtruar gjykatësve për shqyrtim ishin: cilat janë detyrimet e shteteve sipas së drejtës ndërkombëtare për ta mbrojtur klimën nga lirimi i gazrave serrë dhe cilat janë pasojat ligjore për shtetet që e dëmtojnë sistemin klimatik?

Gjatë dy javëve me seanca të mbajtura në dhjetor në GjND, shtetet e pasura të Veriut Global u kishin thënë gjykatësve se traktatet ekzistuese klimatike, përfshirë Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, të cilat janë kryesisht jo të detyrueshme ligjërisht, duhej të ishin baza për vendosjen e përgjegjësive të tyre.

Shtetet në zhvillim dhe shtetet që përbëhen nga ishuj të vegjël kishin argumentuar për masa më të forta, në disa raste madje ligjërisht të detyrueshme, për ta luftuar lirimin e gazrave dhe që prodhuesit më të mëdhenj të gazrave që e ngrohin klimën të ofrojnë ndihmë financiare./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme