OKB-ja kërkon ndihma masive, Pakistani: 30 miliardë dollarë dëme nga vërshimet
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje botës të premten për ndihma masive për Pakistanin e goditur nga vërshimet, kur e vizitoi vendin për t’i përkrahur reagimet ndaj fatkeqësisë për të cilën qeveria vlerëson se ka shkaktuar 30 miliardë dollarë dëme.
Reshjet rekorde në periudhën e reshjeve dhe shkrirja e akullnajave në malet veriore kanë shkaktuar vërshime që kanë shkatërruar shtëpi, rrugë, hekurudha, ura, gjedhe dhe të mbjella dhe kanë lënë mbi 1.391 të vdekur, shkruan “Reuters”, përcjell Nacionale.
Zona të mëdha të vendit janë mbuluar me ujë dhe qindra mijëra njerëz janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre. Qeveria pakistaneze thotë se jeta e gati 33 milionë njerëzve është prekur nga vërshimet. Guterres dhe qeveria pakistaneze i kanë fajësuar ndryshimet klimatike për këto vërshime.
“Unë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që Pakistani ka nevojë për përkrahje masive financiare, pasi sipas vlerësimeve fillestare, humbjet janë rreth 30 miliardë dollarë”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif.
Kryeministri tha se “Pakistani ka nevojë për sasi të pafundme të fondeve” për rimëkëmbje, duke shtuar se vendi “do të mbetet në telashe për aq gjatë sa nuk merr asistencë të mjaftueshme ndërkombëtare”.
Pakistani pret që ta ulë parashikimin për rritjen e GDP-së për vitin financiar 2022-2023 nga 5 në 3 për qind për shkak të humbjeve, tha më herët ministri i Planifikimit, Ahsan Iqbal.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 160 milionë dollarë që Pakistanit t’i dilet në ndihmë pas fatkeqësisë.
Përpos takimit me kryeministrin Sharif dhe me ministrin e Jashtëm, Bilawal Bhutto Zardari, sekretari Guterres do t’i vizitojë edhe zonat e prekura nga vërshimet.
Në korrik dhe gusht, në Pakistan ranë 391 milimetra shi ose gati 190 për qind më shumë se mesatarja që është shënuar në të njëjtën periudhë në tri dekadat e fundit. Në provincën jugore, Sindh, pati 466 për qind më shumë reshje se niveli mesatar./Nacionale
