OKB-ja i shton Izraelin, Hamasin dhe rivalët në Sudan në listën e vrasësve të fëmijëve - NACIONALE

OKB-ja i shton Izraelin, Hamasin dhe rivalët në Sudan në listën e vrasësve të fëmijëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i kritikoi të martën forcat e armatosura izraelite, Hamasin, Xhihadin Islam dhe palët ndërluftuese në Sudan për vrasje dhe gjymtim të fëmijëve në vitin 2023, duke i shtuar ata në një listë vjetore globale të shkelësve të të drejtave të fëmijëve.

Në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që është parë nga agjencia “Reuters”, Guterresi i përmendi forcat e armatosura të Izraelit dhe Sudanit si sulmuese të shkollave dhe spitaleve, ndërsa Hamasin dhe Xhihadin Islam për rrëmbim të fëmijëve.

Forcat e Reagimit të Shpejtë, të cilat janë duke luftuar kundër ushtrisë sudaneze që nga prilli i vitit të kaluar, përmenden edhe për rekrutim dhe përdorim të fëmijëve, duke kryer përdhunime e lloje të tjera të dhunës seksuale si dhe duke sulmuar shkolla e spitale.

Në raportin e hartuar nga emisarja e Guterresit për fëmijë dhe konflikte të armatosura, Virginia Gamba, mbulohen gjashtë shkelje të rënda: vrasja dhe gjymtimi, dhuna seksuale, rrëmbimi, rekrutimi dhe përdorimi, mohimi i ndihmës dhe sulmet ndaj shkollave e spitaleve.

Përmes listës së bashkëngjitur në raport synohet që të turpërohen palët e konflikteve me shpresë që të shtyhen për të zbatuar masa për mbrojtjen e fëmijëve. Në të raportohet vetëm për shkeljet e vërtetuara nga Kombet e Bashkuara.

“Më 2023, dhuna kundër fëmijëve në konflikt të armatosur arriti nivele të skajshme, me rritje shokuese prej 21 për qind të shkeljeve të rënda. Numri i rasteve të vrasjes dhe gjymtimit u rrit për një nivel tronditës prej 35 për qind” – thuhet në raport.

Lajme të ngjashme