Oficeri policor e vret në ndalim të akuzuarin për blasfemi në Pakistan - NACIONALE

Oficeri policor e vret në ndalim të akuzuarin për blasfemi në Pakistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një oficer policor ka vrarë një burrë që po mbahej në ndalim nën akuzat për blasfemi në jug të Paksitanit, tha të enjten policia e shtetit aziatik.

Muhammad Baloch, inspektor i lartë policor në Quetta, kryeqytet provincial i Baloçistanit, tha se oficeri policor i akuzuar për vrasjen është arrestuar, raporton agjencia “Reuters”.

Oficeri policor, të cilit ai nuk ia përmendi emrin, kishte siguruar qasje në një stacion policor ku po mbahej burri i akuzuar për blasfemi duke pretenduar se ishte i afërm i tij para se të hapte zjarr në drejtim të tij.

Burri i akuzuar për blasfemi ishte dërguar në mbajtje më herët këtë javë dhe ishte vendosur në një stacion me mbrojtje më të fortë për shkak të turmës së madhe të njerëzve, që po kërkonin që autoritetet t’ua dorëzonin të dyshuarin atyre.

Blasfemia dënohet me vdekje në Pakistan. Askush nuk është ekzekutuar nga shteti për këtë shkelje, por shumë të akuzuar janë vrarë nga turmat e njerëzve të zemëruar.

Akuzat për blasfemi kishin nxitur turma njerëzish që sulmuan lagje të të krishterëve në provincën Punjab vitin e kaluar, duke detyruar qindra njerëz që të zhvendoseshin.

Në qershor, një turmë tjetër rrahu për vdekje një burrë në veri të Pakistanit, pasi akuzohej për djegie të faqeve të Kuranit.

Lajme të ngjashme