OECD: Gjermania do të pësojë më së shumti nga ngadalësimi ekonomik global
Gjermania pritet që ta pësojë goditjen më të rëndë nga ngadalësimi i ekonomisë botërore përmes shkallëve më të larta të interesit dhe tregtia më e dobët globale, ka paralajmëruar Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik - OECD.
Në parashikimin për ekonominë botërore, organizata me seli në Paris tha se ekonomia më e madhe e Evropës pritet që të jetë vendi i vetëm i Grupit G20, me përjashtim të Argjentinës, që do të tkurret këtë vit gjatë ngadalësimit ekonomik ndërkombëtar, raporton gazeta “The Guardian”.
Pas një fillimi më të fortë se që pritej në pjesën e parë të vitit, i ndihmuar nga çmimet më të ulëta të energjisë dhe lehtësimi i masave kundër koronavirusit në Kinë, OECD-ja tha se aktiviteti në vendet kyçe është duke u ngadalësuar duke shkuar nga fundi i vitit para një fillimi më të dobët më 2024.
Ndikimi i shkallëve më të larta të interesit për ta luftuar inflacionin më të lartë pas fillimit të luftës në Ukrainë e ka shtuar presionin ndaj amvisërive dhe bizneseve, ndërsa ekonomia gjermane, që varet shumë nga prodhimi, po ballafaqohet me vëllim më të vogël të tregtisë globale.
Duke e zvogëluar parashikimin për rritje ekonomike, kjo organizatë tha se ekonomia e Gjermanisë është rrugës për t’u tkurrë për 0,2 për qind këtë vit, më keq se parashikimi i mëhershëm në qershor për rritje 0. Më parë ishte vlerësuar se ekonomia gjermane do të rritet për 1,3 për qind më 2024, por tani vlerësohet se kjo rritje do të jetë vetëm 0,9 për qind.
Kryeekonomistja e OECD-së, Clare Lombardelli, tha: “Shihet rritje më e dobët në mbarë Evropën, por Gjermania ndoshta është shembulli më i madh. Shihet ndikimi i inflacionit në të ardhurat reale. Kjo ka qenë duke e shtypur kërkesën e konsumatorëve. Po shihet edhe ndikimi i ashpërsimit të politikave monetare.”
“Gjermania, ndoshta më shumë se ekonomitë e tjera të BE-së, është prekur nga ngadalësimi në Kinë. Ajo eksporton shumë në Kinë, gjithashtu importon, prandaj është një kombinim faktorësh”- shtoi zonja Lombardelli.
Në përgjithësi, OECD-ja parashikon që ekonomia botërore të shënojë rritje prej 3 për qind këtë vit, ndërsa vetëm 2,7 për qind vitin e ardhshëm.