OBSh-ja ia jep dritën e gjelbër vaksinës së parë kundër lisë së majmunëve - NACIONALE

OBSh-ja ia jep dritën e gjelbër vaksinës së parë kundër lisë së majmunëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të premten se ia ka dhënë dritën e gjelbër vaksinës së kompanisë “Bavarian Nordic” kundër lisë së majmunëve, e para që miratohet nga agjencia botërore për ta luftuar përhapjen e sëmundjes në disa shtete afrikane që janë prekur rëndë.

Miratimi, i njohur si parakualifikim, vjen kur një lloj i ri i virusit është përhapur nga Republika Demokratike e Kongos, ku përhapja e tanishme kishte nisur në fillim të vitit 2023, në shtetet fqinje, raporton agjencia “Reuters”.

Parakualifikimi ua hap rrugën vendeve në zhvillim që të sigurojnë qasje në vaksina, pasi shumica prej këtyre shteteve nuk i kanë burimet e nevojshme për kontrolle të rrepta për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave. Edhe agjencitë e OKB-së mbështeten te ky proces para se të blejnë produkte mjekësore.

Vaksina e kompanisë “Bavarian Nordic”, që në Shtete të Bashkuara njihet edhe si “Jynneos”, fillimisht ishte miratuar për ta luftuar linë e rëndomtë. Disa doza i janë dhuruar Kongos, ku vala e parë e vaksinimit pritet të nisë në fillim të tetorit.

“Dëshmitë që ne i kemi tani janë që është me rëndësi që t’i shfrytëzojmë përparësitë [e vaksinës] për ta mbrojtur popullsinë tonë” – kishte thënë para miratimit të kësaj vaksine Dimie Ogoina, drejtor i komitetit të urgjencave për linë e majmunëve në OBSh.

Ai megjithatë theksoi se vaksinat nuk janë “shkop magjik” dhe se masat e tjera të shëndetit publik, si testimi dhe përcjellja e kontakteve, janë të rëndësishme. Ogoina shtoi se publiku gjithashtu duhet të informohet se disa gjëra mbeten të panjohura, përfshirë atë se sa zgjat mbrojtja nga vaksina kundër lisë së majmunëve.

Lajme të ngjashme