NYT: Zgjerohet përçarja Netanyahu - ushtri, gjeneralët duan armëpushim në Gaza
Gjeneralët më të lartë izraelitë duan që të fillojë një armëpushim në Gaza, edhe nëse kjo masë e mban Hamasin në pushtet tash për tash, duke zgjeruar një përplasje mes ushtrisë dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili e ka kundërshtuar armëpushimin që do të mundësonte që Hamasi t’i mbijetojë luftës.
Gjeneralët mendojnë se një armëpushim do të ishte mënyra më e mirë për lirimin e rreth 120 izraelitëve që po mbahen ende peng, të gjallë e të vdekur, në Gaza, sipas intervistave me gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të sigurisë, raporton e përditshmja e njohur amerikane, “The New York Times”.
Me mungesë pajisjesh për luftime të mëtejme pas luftës më të gjatë të Izraelit në dekada, gjeneralët gjithashtu mendojnë se forcat e tyre kanë nevojë për kohë për t’u rikuperuar në rast të shpërthimit të një lufte kundër Hezbollahut, grup libanez që është përfshirë në luftime të nivelit të ulët me Izraelin nga tetori, thanë disa zyrtarë.
Një armëpushim me Hamasin gjithashtu do të mund ta lehtësonte arritjen e një marrëveshjeje me Hezbollahun, sipas zyrtarëve, shumica prej të cilëve folën në kushte anonimiteti për t’i diskutuar çështjet e ndjeshme të sigurisë. Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë që ta sulmojë pjesën veriore të Izraelit derisa forcat izraelite t’i ndalin luftimet në Rripin e Gazës.
I njohur kolektivisht si Forumi i Shtabit të Përgjithshëm, udhëheqësia e ushtrisë izraelite përbëhet nga rreth 30 gjeneralë të lartë, përfshirë komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Herzi Halevi, komandantët e forcave tokësore, ajrore e detare si dhe drejtorin e inteligjencës ushtarake.
Pozicioni i ushtrisë ndaj armëpushimit pasqyron një ndryshim të rëndësishëm në të menduarit gjatë muajve të fundit, pasi u bë më e qartë se Netanyahu po refuzonte që të hartonte ose të zotohej për një plan për menaxhimin e Gazës pas luftës. Ky vendim në thelb ka krijuar një boshllëk pushteti në enklavë që e ka detyruar ushtrinë izraelite të rikthehet e të luftojë në pjesë të Gazës të cilat tashmë i kishte pastruar një herë nga luftëtarët e Hamasit.
“Ushtria është në mbështetje të plotë të një marrëveshjeje për pengjet dhe një armëpushim” – tha Eyal Hulata, i cili ka shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare në Izrael deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe i cili flet rregullisht me zyrtarë të lartë ushtarakë.
“Ata besojnë se ata gjithmonë mund të kthehen dhe ta luftojnë Hamasin ushtarakisht në të ardhmen. Ata kuptojnë se një pauzë në Gaza e bën de-eskalimin më të mundshëm në Liban dhe kanë më pak municion, më pak pjesë rezervë, më pak energji se që kishin më parë, prandaj ata gjithashtu mendojnë se një pauzë në Gaza na jep më shumë kohë për t’u përgatitur në rast se një luftë më e madhe shpërthen me Hezbollahun” – shtoi Hulata./Nacionale/Nasuf Abdyli