NYT: Irani ka plane për kundërsulm të menjëhershëm, nëse Izraeli ia godet qendrat bërthamore - NACIONALE

NYT: Irani ka plane për kundërsulm të menjëhershëm, nëse Izraeli ia godet qendrat bërthamore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë të Iranit kanë të gatshëm një plan për t’iu kundërpërgjigjur një sulmi të mundshëm izraelit ndaj objekteve bërthamore të vendit, i tha gazetës “The New York Times” një zyrtar iranian, në kohën e raportimeve se Izraeli mund të kryejë një sulm ndaj shtetit armik ditëve të ardhshme.

Zyrtari iranian thotë se në këtë plan përfshihet një kundërsulm i menjëhershëm i shkallës së ngjashme me atë të kryer në tetorin e vitit të kaluar, kur forcat iraniane hodhën gati 200 raketa balistike në drejtim të Izraelit, duke e detyruar tërë popullsinë e këtij vendi që të vendosej në strehimore kundër bombave.

Shumica e këtyre raketave ishin penguar, edhe pse një palestinez në Bregun Perëndimor ishte vrarë dhe dy izraelitë ishin lënduar nga mbetjet dhe copëzat e predhave, transmeton gazeta "The Times of Israel".

Irani gjithashtu ka paralajmëruar se, në rast të një sulmi nga Izraeli, Teherani do t’i mbante përgjegjëse Shtetet e Bashkuara krahas Izraelit dhe do t’i vinte në shënjestër forcat amerikane në rajon.

Shqetësimi për një sulm nga Izraeli dhe mundësinë për hakmarrje nga Irani i nxiti Shtetet e Bashkuara që të tërheqin diplomatë nga Iraku dhe ta autorizojnë largimin vullnetar të anëtarëve të familjeve të ushtarëve amerikanë nga Lindja e Mesme, thekson gazeta e njohur amerikane.

Është e paqartë se sa i gjerë mund të jetë sulmi që Izraeli mund të jetë duke e përgatitur, por tensionet në rritjen vijnë pas disa muajve kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump, që ta shfrytëzojë atë që Izraeli e sheh si brishtësi të Iranit ndaj një sulmi të mundshëm.

Trumpi shmangu një plan tjetër të Izraelit para disa muajve për ta sulmuar Iranin, duke këmbëngulur se dëshiron një mundësi për të negociuar një marrëveshje me Teheranin, e cila do t’ia hiqte Iranit mundësinë për të prodhuar më shumë karburant bërthamor për bombë. Para dy javëve, Trumpi tha se e kishte paralajmëruar Netanyahun kundër kryerjes së një sulmi ndaj Iranit gjatë kohës që bisedimet mes Uashingtonit e Teheranit ishin duke u zhvilluar.

Nuk është e qartë se sa shumë përpjekje ka bërë Trumpi për ta bllokuar planin e Netanyahut përsëri kësaj radhe, por kreu i Shtëpisë së Bardhë është shprehur më pak optimist ditëve të fundit për mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, pasi lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, hodhi poshtë një propozim të administratës amerikane që praktikisht do t’ia hiqte mundësinë Iranit për të pasuruar uranium në territorin e tij. Netanyahu në të kaluarën e ka përmendur bombardimin e qendrave bërthamore të Iranit, por është sprapsur në momentin e fundit.

Lajmi për vendimet e ShBA-së për të tërhequr personel nga rajoni, bashkë me një paralajmërim nga Britania për kërcënimet e reja ndaj transportit komercial në Lindjen e Mesme, erdhën disa orë pasi Trumpi tha në një “podcast” të publikuar të mërkurën se ai tani ka “më pak besim” për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin me të cilën do të kufizohej aftësia e këtij shteti për të zhvilluar armë bërthamore./Nacionale

Lajme të ngjashme