Nuk sprapset presidenti i Brazilit, e akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, e akuzoi Izraelin të shtunën se është duke kryer gjenocid kundër palestinezëve, duke këmbëngulur në retorikën e ashpër pas nxitjes së reagimeve një javë më parë, kur e kishte krahasuar ofensivën ushtarake izraelite në Gaza me Holokaustin nazist.
Duke shkruar në rrjetin X, Lula da Silva tha se nuk do ta japë “dinjitetin për gënjeshtrën”, referencë e qartë ndaj thirrjeve ndaj tij për t’u tërhequr nga komentet me të cilat sjelljen e Izraelit në Gaza e kishte krahasuar me Holokaustin nazist, kur ishin shuar gjashtë milionë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, raporton agjencia “Associated Press”.
“Ajo që qeveria izraelite është duke e bërë, nuk është luftë, është gjenocid. Fëmijë e gra po vriten” – shkroi presidenti brazilian të shtunën.
Da mesma forma que eu disse quando estava preso que eu não aceitaria acordo para sair da cadeia e que eu não trocaria a minha liberdade pela minha dignidade, eu digo: não troco a minha dignidade pela falsidade. Eu sou favorável à criação do Estado Palestino livre e soberano. Que…
— Lula (@LulaOficial) February 23, 2024
Si reagim ndaj komenteve fillestare të tij, Izraeli e shpalli Lula da Silvan “persona non grata”, e thirri ambasadorin brazilian në Izrael në takim dhe kërkoi që për këto komente të kërkohej falje. Si hakmarrje, Lula e tërhoqi ambasadorin brazilian në Izrael për konsultime.
Muajin e kaluar, Afrika e Jugut dorëzoi një ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e akuzuar Izraelin për gjenocid kundër palestinezëve. GjND-ja kishte lëshuar urdhër të përkohshëm para dy javëve, duke e urdhëruar Izraelin që të bëjë gjithçka që mundet për t’i parandaluar vdekjen, shkatërrimin dhe çfarëdo akti që mund të përbëjë gjenocid në Gaza.
Izraeli, shtet i formuar pjesërisht si strehë për të mbijetuarit e Holokaustit, e ka akuzuar Afrikën e Jugut për hipokrizi.
Autoritetet izraelite i kanë mohuar kategorikisht akuzat për gjenocid, duke thënë se lufta e Izraelit e ka në shënjestër Hamasin, jo popullin palestinez. Izraeli e mban Hamasin përgjegjës për vdekjen e civilëve, duke argumentuar se ky grup operon në zona civile.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e qeverisur nga Hamasi tha të shtunën se gjatë 24 orëve të kaluara në spitale janë sjellë trupat e 92 palestinezëve të vrarë nga bombardimet izraelite, duke e çuar në 29 mijë e 606 numrin e përgjithshëm të të vrarëve nga fillimi i luftës. Shifra e përgjithshme e të plagosurve shkoi në gati 70 mijë.