A po na kthen Putini në vitin 64? - NACIONALE

A po na kthen Putini në vitin 64?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Altin Ademi

Thonë që Perandori romak Neron, duke dashur të fitojë admirimin dhe besimin e turmës, shpesh herë i kishte dëfryer personalisht në spektakle teatrale duke recituar e kënduar për ta, ndryshe nga aristokratët e Senatit që i shmangeshin turmës dhe veçoheshin në “punët fisnike” të qeverisjes. Kostoja e afërsisë së këtij pushtetari me popullin, do të ishte hiç më pak se sa shkatërrimi i Romës nga zjarri. Ndonëse edhe sot ka shumë pikëpyetje se çfarë në të vërtetë e shkaktoi “zjarrin e korrikut” në Romën e vitit 64 AD, të gjitha nyjat na sjellin tek një personazh i vetëm: Perandori.

Kronikat thonë që Neroni, duke qenë pushtetar me vese të çuditshme, nuk mund ta duronte kundërmimin e Romës në përditshmërinë e saj. Për ta shmangur atë, Neronit i ishte shfaqur dëshira që ta ndryshojë qytetin. I duhej hapësira për një pallat të ri, një “shtëpi të artë” që do të bëhej “sipas imazhit të tij”. Rruga më e shkurtër për hapësirën që i duhej, ishte rrënimi i asaj që ishte ndërtuar para tij për ta rindërtuar sipas shijes së vet.

Por nuk ishte fjala vetëm për hapësirën fizike. Paralelisht me një Romë të re, ai kishte projektuar vetveten jo thjesht si një udhëheqës, por si një “Ҫezar” që imponohet me madhështi jo vetëm në pushtet por edhe në histori.

Epilogu i kësaj përpjekjeje ishte fatal për të por edhe për Romën. Zjarri shkatërroi shumë lagje romake dhe rindërtimi detyroi Neronin të rrisë taksat. Kjo barrë ishte e papërballueshme për qytetarët dhe provincat romake të cilat u rebeluan gjithandej hartës. Të rënduar nga gjendja e rëndë, romakët kishin filluar të mendojnë se si ta shpëtojnë Romën nga Perandori. Kështu, Neroni nuk arriti të përmbushë ambicien e vet dhe kur gjërat i dolën nga kontrolli ai vrau veten, duke mos lënë trashëgimtarë pos një luftë civile si trashëgimi. Ndërsa dëfrimi i turmave me perandorin që ishte i kujdesshëm ndaj pasioneve të tyre, u kthye në një tragjedi të rëndë për ta.

Duhet theksuar një fragment nga korriku i vitit 64. Kur nisi të përhapej zjarri, ndonëse pretendohet që Neroni nuk ndodhej atë ditë në Romë, ai do të kthehej për ta parë e shijuar me ëndje shkatërrimin e qytetit, tamam si një piroman. Doli që ai kishte zgjedhur të dëfrehej i fundit, me besimin e atyre që dikur ishin spektatorë të dëfrimeve që ua kishte shërbyer si karrem.

Sot jemi në vitin 2022 AD. Fatkeqësisht, në zemër të Evropës po ndodh një aventurë me parametra të ngjashëm. Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, ka vënë përpara zbatimin e “ëndrrës së tij”, e cila mes tjerash nënkupton pastrimin e Ukrainës nga “neonazizmi”, zgjerimin e pallatit të Kremlinit në drejtim të Kievit, si dhe rimodelimin e botës, duke shembur “botën e përdalë e kundërmuese liberale” dhe në vend të saj duke ofruar një “botë të re” sipas imazhit të tij.

Në botën që Putini po ua rrëfen rusëve dhe mbarë Evropës, ka tendencë të qartë që ai të mos mbahet mend thjesht si një president i Rusisë, por si hisedar i historisë së saj. Një “Ҫezar” i barabartë me Pjetrin e Madh për nga lavdia perandorake, e një burrështetas autokrat jo më pak brutal se Vozhda që zgjeroi ish Bashkimin Sovjetik në Evropën Lindore në kurriz të shumë popujve e shteteve.

Rruga më e shkurtër për “Carin e Ri” është përmes Dnjeprit dhe Detit të Zi. Përmes një vendi sovran, të cilin ai do ta pastrojë nga “kundërmimi liberal”, natyrisht, gjithmonë duke gjetur arsye historike, politike e të sigurisë për ta bërë një gjë të tillë.

Ndonëse sot për sot, kjo rrugë kalon përmes Ukrainës, në një mënyrë a tjetrën pothuajse të gjithë jemi përfshirë në pasojat e kësaj tragjedie. Është e qartë se në Ukrainë, nuk ka vetëm dy palë ndërluftuese në planin ushtarak, por edhe dy botëkuptime konkurruese që tejkalojnë Dnjeprin dhe Detin e Zi.

Mes tensionit për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë me sigurinë në Evropë, në këtë periudhë kur rregullat ndërkombëtare nuk e përmbajtën agresionin rus ndaj një vendi sovran, ka një faktor të tretë në të cilin siç duket bota liberale ka varur shpresat. Ai është populli rus.

Pavarësisht se SHBA-të dhe Evropa e cila tek tash po e kupton pasojën e flirtit me Putinin, po përpiqen ta mbajnë në këmbë Ukrainën, epilogu i këtij konflikti ende nuk mund të deshifrohet. Por përveç Ukrainës, mbrojtësit e të cilës po bëjnë qëndresë heroike, askush jashtë saj siç duket nuk është në pozitë për të vepruar. Vetëm populli rus është në atë pozitë. Prandaj kjo dilemë, së pari u takon atyre.

Janë pikërisht qytetarët rus, të cilëve përmes izolimit të sanksioneve tash u ka rënë barra e kostos së kësaj “Ëndrre Neroniste” ata që duhet të reflektojnë seriozisht nëse janë gati për të ndjekur Tsarin, apo në vend të pasimit të kësaj ëndrre, t’i trokasin në derë e ta zgjojnë nga gjumi dhe mos ta lënë që të ëndërrojë më. Çdo ditë që kalon nga ky konflikt është kosto e shumëfishtë për ta, prandaj pyetja themelore që duhet t’i tundojë rusët sot për sot, nuk është se si ta shpëtojnë “imazhin e Putinit” por si ta shpëtojnë shtetin nga ky imazh që s’përfaqëson më as Rusinë, as të ardhmen e saj.

Ka një shpresë se regjimi i Putinit që flet në emër të popullit me vetëbesim, siç fliste dikur Neroni pasi që i kishte dëfryer turmat romake, dallon nga vetëdija qytetare e popullit rus, e cila vetëdije kësaj radhe është më e vlefshme se sa çdo potencial i armëve që gjenden në hangar.

Nëse ka hezitim për ta frenuar Putinin hapur, mbase duhet të ketë hapësirë për ta “mirëkuptuar” me një “exit way”, duke i kërkuar të heqë dorë nga kjo aventurë e rrezikshme, skenarët e së cilës në planin lokal të asaj çfarë po ndodh në Ukrainë, janë sinjal se si mund të katandiset bota jonë, në rast se kalohen kufijtë gjeografikë të këtij konflikti. Kjo vetëdije ka shumë rëndësi sepse ajo nuk mund të kufizohet nga pallati. Ajo madje mund të përhapet e lëvizë edhe mbi rrotat e tankeve që lëvizin sot në rrethinat e Kievit. Fundja, Putini ju thotë rusëve se këtë “mësymje” po e bën për ta e për dobinë e tyre. Rendi e do që ata t’ia bëjnë të qartë atij se s’kanë asnjë dobi nga kjo aventurë.

Natyrisht se nuk mund të imagjinohet bota pa Rusinë dhe pa popullin rus, ngjashëm si pa asnjë komb a vend tjetër. Por për të qenë ajo botë e mundshme, e sigurt dhe me të ardhme premtuese, një Rusi si pjesë e saj do të duhej të çlirohej nga ëndrra perandorake Neroniste. Jo për shkak se Rusia duhet të jetë e dobët, por për shkak se fuqia e saj, nuk duhet dhe nuk mund të jetë kërcenim për sigurinë e vendeve të lira e sovrane, në kurriz të të gjitha palëve për tekat e një “perandori”.

Çfarë mund të bëjmë ne të tjerët ndërkohë, përderisa jemi ngërthyer si spektatorë të një tragjedie që po e përjetojmë duke qenë dëshmitarë mediatik të viktimave civile e shpërnguljes masive të ukrainasve nëpër dyert e fqinjëve, në mos asgjë tjetër, është të jemi edhe më këmbëngulës në mbrojtjen e pakusht të mënyrës sonë të jetesës që nuk toleron Neronë të rinj.

Fundja, historia do ta kalojë edhe këtë kapitull, por me asnjë çmim s’duhet të bijmë në grackën e çmagjepsjes së botës sonë, duke i lënë hapësirë një bote që imponohet me tytën e tankeve. Një e tillë, do ta kthente përmbys besimin në të cilin kemi investuar, atëherë kur bota jonë e “kundërmueshme liberale” i dorëzoi instinktet tek e drejta dhe drejtësia. Një botë ku instinktet dhe fuqia zëvendësojnë drejtësinë dhe të drejtën, nuk është as e qëndrueshme, as e dëshiruar dhe as e drejtë për askënd.

Duke shpresuar që së shpejti të dëgjojmë lajme se lufta ka mbaruar dhe se plani për pushtimin e Ukrainës prodhoi çlirimin e vetë Rusisë, radha e do që pa kurrfarë triumfi e krenarie, të bëjmë një vlerësim rreth dobësive që dolën në pah për një periudhë kaq të shkurtër, si dhe përgjegjësive e detyrimeve për t’i evituar ato në të ardhmen kurdo që nisin të zënë vend.

Lajme të ngjashme