“Nuk ka pasur bisedë”: Zyra e presidentit të Izraelit e nxjerr Trumpin në pozitë të palakmueshme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se homologu i tij izraelit, Isaac Herzog, pritet të lëshojë një falje presidenciale për kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke e nxitur mohimin e menjëhershëm nga zyra e Herzogut.
Duke folur gjatë takimit të tij me Netanyahun në Floirida, Trumpi tha se beson që falja për Netanyahun ishte rrugës: “Si të mos bëhet? Ai është një kryeministër në kohë lufte që është hero. Si të mos i jepet falja?”
Më pas, presidenti amerikan pretendoi se “foli me presidentin [izraelit] dhe ai më thotë se [falja për Netanyahun] është rrugës. Nuk mund të bëhet më mirë se kaq, apo jo”, pyeti Trumpi, shkruan gazeta "The Times of Israel".
Megjithatë, zyra e presidentit Herzog – e cila është duke e shqyrtuar mundësinë për ta falur apo jo Netanyahun në një gjykim që ka nisur para më shumë se pesë vjetëve që nga kërkesa zyrtare që Trumpi e dorëzoi para një muaji – mohoi se presidentit amerikan i është dhënë ndonjë koment i tillë.
“Nuk ka pasur bisedë mes presidentit Herzog dhe presidentit Trump që nga dorëzimi i kërkesës për falje” – tha zyra e Herzogut në një deklaratë që e lëshoi vetëm disa minuta pas komenteve të Trumpit.
Kjo zyrë tha se presidenti izraelit foli para disa javëve me “një përfaqësues në emër të presidentit Trump, i cili pyeti për letrën e presidentit amerikan”, duke iu referuar letrës që Trumpi ia dërgoi Herzogut në nëntor, ku formalisht i bëri thirrje që ta falte Netanyahun.
Gjatë bisedës, “një shpjegim u dha në lidhje me fazën e procesit në të cilin qëndron tani për tani kërkesa dhe se çfarëdo vendimi për çështjen do të merret në pajtim me procedurat e vendosura”, tha më tej zyra e presidentit izraelit.
Më tej, në deklaratë thuhet se ky shpjegim “iu përçua përfaqësuesit të presidentit Trump, saktësisht siç deklaroi presidenti Herzog në Izrael”.
Trumpi, i cili edhe vetë është ballafaqur me vjet me telashe ligjore, me muaj ka bërë thirrje publikisht që Netanyahut t’i ofrohet falje e plotë gjyqësore në gjyqin e tij për korrupsion, ku akuzohet se ka marrë ryshfet. Netnayahu gjithashtu akuzohet për mashtrim dhe shkelje të besimit në tri raste të ndara.