Norvegjia thotë se Rusia ia ka shkelur hapësirën ajrore tri herë këtë vit
Qeveria e Norvegjisë tha të martën se Rusia e ka shkelur hapësirën ajrore norvegjeze tri deri më tani gjatë vitit 2025, duke shtuar se është e paqartë nëse këto veprime janë bërë qëllimisht apo si rezultat i gabimeve në drejtim.
Incidentet që zgjatën mes një e katër minutave ishin shkeljet e para të tilla nga Rusia në më shumë se një dekadë, thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Norvegjisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy prej incidenteve, njëri më 25 prill e tjetri më 18 gusht, ndodhën mbi Detin Barents në Arktik, ndërsa një tjetër më 24 korrik mbi një pjesë të pabanuar të distriktit më verior norvegjez, Finnmark, i cili kufizohet me Rusinë.
“Ne nuk mund të përcaktojmë nëse kjo është bërë qëllimisht apo ka qenë për shkak të gabimeve në drejtim” – tha kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere.
“Pavarësisht nga arsyeja, kjo është e papranueshme dhe ne ua kemi bërë të qartë këtë autoriteteve ruse” – shtoi ai.
Para disa ditëve u raportua se disa dronë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë. Të hënën, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se vendi i tij do t’i rrëzojë aeroplanët e armikut, nëse ata e shkelin hapësirën ajrore polake.
“Dua të jem shumë i qartë. Ne do të marrim një vendim për t’i rrëzuar objektet fluturuese pa diskutim, kur ato e shkelin territorin tonë dhe fluturojnë mbi Poloni. Nuk ka hapësirë për debat këtu” – paralajmëroi Tusku./Nacionale