Norvegjia do të blejë edhe dy nëndetëse e raketa me rreze të gjatë
Norvegjia planifikon që të blejë edhe dy nëndetëse nga Gjermania dhe, me marrëveshje të tjera, artileri me rreze të gjatë, tha të premten Ministria e Mbrojtjes, me një kosto shumë më të lartë se më parë, pjesërisht për shkak të kërkesës së madhe për pajisje ushtarake.
Porosia e re për nëndetëset vjen pas një porosie tjetër të shtetit të pasur të Evropës Veriore më 2021, kur kishte vendosur të blinte katër nëndetëse nga prodhuesi gjerman “Thyssenkrupp” për 45 miliardë krona (4,5, miliardë dollarë). Edhe nëndetëset e reja do të blehen nga i njëjti prodhues, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Porosia e re do t’i kushtojë Norvegjisë 46 miliardë krona, duk e çuar në afro 100 miliardë krona koston e përgjithshme të blerjes së nëndetëseve, pjesërisht për shkak të inflacionit të lartë në kostot e lëndës së parë dhe në pajisjet e mbrojtjes.
Shtetet e NATO-s po i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të shqetësuara nga pushtimi rus i Ukrainës.
Norvegjia është vëzhguese e NATO-s për sipërfaqen gjigante prej dy milionë kilometrash katror të Atlantikut të Veriut, i cili shfrytëzohet nga nëndetëset bërthamore të flotës veriore ruse.
Një mision kyç i nëndetëseve të reja do të jetë vëzhgimi i nëndetëseve ruse, baza e të cilave ndodhet në Gadishullin Kola, zonë në Arktik që kufizohet me Norvegjinë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nëndetësja e parë nga gjashtë sa janë porositur pritet të dorëzohet në vitin 2029./Nacionale