Nobeli për Paqe i jepet Narges Mohammadit, aktivistes në burgjet e Iranit
Narges Mohammadi, aktiviste e burgosur iraniane për të drejtat e grave, e fitoi të premten Çmimin Nobel për Paqe.
Mohammadi është njëra nga aktivistet më të dalluara për të drejtat e njeriut në Iran dhe vazhdimisht ka bërë fushatë për të drejtat e grave dhe për shfuqizimin e dënimit me vdekje, raporton agjencia “Reuters”.
Ajo tash për tash është duke vuajtur disa dënime në burgun “Evin” të Teheranit, që e ngarkojnë me 12 vite burgim, sipas organizatës “Mbrojtësit e Vijës së Frontit”. Në mesin e akuzave përfshihet përhapja e propagandës kundër shtetit.
Mohammadi është nënkryetare e Qendrës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, organizatë joqeveritare e udhëhequr nga Shirin Ebadi, që po ashtu e kishte fituar Çmimin Nobel të Paqes më 2003.
