Njohja e Palestinës nga shtetet perëndimore, deklarohet Rusia
Rusia ende beson se një zgjidhje me dy shtete është mënyra e vetme për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, tha të hënën Kremlini, pasi u pyet për vendimin e disa shteteve perëndimore për të njohur një shtet palestinez.
Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia të dielën njohën një shtet palestinez si vendim që ka rrjedhur nga zemërimi për luftën në Gaza dhe me qëllimin që të promovohet një zgjidhje me dy shtete, duke nxitur kundërpërgjigje të ashpër nga Izraeli, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj rezolutave themelore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mbetemi të përkushtuar ndaj pozicionit ndërkombëtar për mundësinë e zgjidhjes së problemit palestinezo-izraelit mbi bazën e një qasjeje me dy shtete” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Kjo mbetet qasja jonë dhe ne besojmë se ajo është mënyra e vetme e mundshme për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt tepër kompleks e të gjatë, i cili tani ndoshta është në fazën e tij më akute dhe më tragjike në tërë historinë e vet” – shtoi ai.
Të hënën do të mbahet një samit botëror, i organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, ku pritet të diskutohet pikërisht zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Gazeta “Nacionale” më herët të hënën raportoi se në këtë samit pritet të formalizohet njohja e shtetit palestinez edhe nga gjashtë vende, përfshirë Francën.
Për të lexuar më shumë rreth njohjes së shtetit palestinez, klikoni këtu.