Cilat shtete e njohin Palestinën e cilat jo dhe pse kjo çështje ka rëndësi?
Britania, Australia, Kanadaja dhe Portugalia të dielën njohën një shtet palestinez pas gati dy vjetësh luftë në Gaza, ndërsa Franca, Belgjika dhe disa shtete të tjera pritet ta marrin të njëjtin vendim gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të hënën.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka publikuar një artikull shpjegues rreth njohjes ndërkombëtare të shtetit palestinez, i cili ishte shpallur në mënyrë të njëanshme nga udhëheqja palestineze në ekzil në vitin 1988, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Nga territoret që pretendohen nga ky shtet, Izraeli aktualisht e ka nën kontroll Bregun Perëndimor, ndërsa Gaza ka mbetur kryesisht rrënojë si rezultat i luftës së nxitur nga sulmi i drejtuar nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Cilat shtete e njohin ose do ta njohin Shtetin e Palestinës?
Thënë shkurt: tri të katërtat e vendeve anëtare të OKB-së.
Sipas të dhënave të agjencisë franceze të lajmeve, AFP, të paktën 145 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara tani e njohin Shtetin e Palestinës. Kjo agjenci nuk ka pranuar ende konfirmim nga tri shtete afrikane.
Në këtë shifër përfshihen Britania e Kanadaja – vendet e para të Grupit G7 që e njohën shtetin palestinez – si dhe Australia e Portugalia.
Disa shtete të tjera, përfshirë Francën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Maltën, pritet që ta marrin vendimin e njëjtë gjatë një samiti ku do të diskutohet për të ardhmen e zgjidhjes me dy shtete, i organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite të hënën në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Rusia, bashkë me të gjitha vendet arabe, gati të gjitha vendet afrikane dhe të Amerikës Latine, si dhe shumica e shteteve aziatike, përfshirë Kinën e Indinë, janë në listën e shteteve që e njohin Palestinën.
Algjeria ishte bërë shteti i parë që zyrtarisht kishte njohur një shtet palestinez më 15 nëntor 1988, disa minuta pasi kryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Yasser Arafat, në mënyrë të njëanshme shpalli një shtet të pavarur palestinez.
Dhjetëra shtete të tjera e ndoqën shembullin e Algjerisë në javët e muajt pasuar. Një valë tjetër e njohjeve kishte ndodhur në fund të vitit 2010 dhe në fillim të vitit 2011.
Ofensiva izraelite në Gaza tani ka nxitur 13 shtete të tjera që ta marrin vendimin për njohjen e shtetësisë palestineze.
Cilat shtete s’e njohin Palestinën?
Të paktën 45, përfshirë Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
Në Azi, Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori janë në mesin e shteteve që nuk e njohin Palestinën.
Këtë shtet nuk e njohin as Kameruni në Afrikë, Panamaja në Amerikën Latine dhe shumica e vendeve të Oqeanisë.
Evropa është kontinenti më i përçarë për këtë çështje dhe ndarja është gati 50%-50% sa i përket qëndrimit ndaj shtetësisë palestineze.
Deri dekadën e kaluar, shtetet e vetme evropiane që e njihnin Palestinën, përpos Turqisë, ishin ato të ish-bllokut sovjetik.
Tani, disa shtete të atij blloku, si Hungaria dhe Republika Çeke, ende nuk e njohin shtetin palestinez në nivelin dypalësh.
Evropa Perëndimore dhe Veriore deri më tani ishte e bashkuar në mosnjohjen e Palestinës, me përjashtim të Suedisë, e cila u nga ky grup në vitin 2014.
Megjithatë, lufta në Gaza i ktheu gjërat përmbys. Norvegjia, Spanja, Irlanda dhe Sllovenia e njohën shtetin palestinez vitin e kaluar.
Italia dhe Gjermania nuk planifikojnë që ta marrin të njëjtin vendim.
Çfarë do të thotë njohja?
Romain Le Boeuf, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin “Aix-Marseille” në Francë, e përshkruan njohjen e shtetësisë palestineze si “njëra nga çështjet më të ndërlikuara” në të drejtën ndërkombëtare, “pak si pikë mes politikes e juridikes”.
Ai i tha agjencisë AFP se shtetet janë të lira që t’i zgjedhin kohën dhe formën e njohjes dhe ka variacione të mëdha që janë qoftë eksplicite, qoftë implicite.
Sipas profesorit Le Boeuf, nuk ka zyrë që i regjistron njohjet.
“Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor i vë në listën e vet të gjitha ato që i konsideron si akte të njohjes, por nga një këndvështrim tërësisht subjektiv. Në të njëjtën mënyrë, shtete të tjera thonë se ato e kanë njohur ose nuk e kanë njohur [Palestinën], por pa u detyruar vërtet që ta justifikojnë veten” – shtoi ai.
Sidoqoftë, ekziston një pikë në të cilën e drejta ndërkombëtare është mjaft e qatë: “Njohja nuk do të thotë se një shtet është krijuar, ashtu siç mungesa e njohjes nuk ia parandalon shtetit ekzistencën.”
Përderisa njohja bart peshë kryesisht simbolike dhe politike, tri të katërtat e shteteve thonë se “Palestina i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për të qenë shtet”, sipas profesorit francez.
“E di se, për shumë njerëz, kjo duket vetëm simbolike, por në të vërtetë në termat e simbolizmit, është njëfarë ndërruese e lojës” – shkroi muajin e kaluar në gazetën “The New York Times” avokati dhe profesori britaniko-francez, Philippe Sands.
“Sepse me ta njohur shtetësinë palestineze... ju në thelb i vendosni Palestinën dhe Izraelin në pozitë të barabartë në aspektin e trajtimit të tyre sipas së drejtës ndërkombëtare” – shtoi ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli