Një zyrtar izraelit thotë se s’ka pauzë të luftimeve derisa të finalizohet marrëveshja me Hamasin - NACIONALE

Një zyrtar izraelit thotë se s’ka pauzë të luftimeve derisa të finalizohet marrëveshja me Hamasin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar izraelit i tha agjencisë “Associated Press” të enjten herët se nuk do të ketë ndërprerje të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit apo ndonjë lirim të pengjeve që po mbahen nga ky grup para së premtes.

Komentet e këtij zyrtari erdhën pas pak deklaratës së këshilltarit për siguri kombëtare, Tzachi Hanegbi, i cili tha para mesnatës të mërkurën se asnjëri nga pengjet që janë marrë nga Hamasi nuk do të lirohen para së premtes, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Bisedimet për pengjet “po përparojnë vazhdimisht” dhe “lirimi do të fillojë sipas marrëveshjes fillestare mes palëve dhe jo para së premtes”- tha Hanegbi.

Sipas marrëveshjes, Hamasi do të lirojë 50 pengje izraelite – fëmijë, nënat e tyre dhe gra të tjera në grupe prej 12 - 13 personash – në këmbim të një armëpushimi 4-ditor dhe lirimit të 150 grave e të miturve që po mbahen në burgje izraelite.

Përmes marrëveshjes do të mundësohet edhe hyrja e ndihmave humanitare dhe karburantit në Gaza gjatë pauzës së luftimeve.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin dhe ka qenë duke zhvilluar fushatë ajrore e tokësore në Gaza për gati 50 ditë.

Ditë më parë u raportua për përçarje brenda kabinetit qeveritar të Izraelit, sepse disa ministra nuk janë pajtuar me një vendim për ta lejuar hyrjen e karburantit në Gaza.

Lajme të ngjashme