Një zyrtar i Hamasit thotë se askush s’e ka idenë se sa pengje janë ende gjallë - NACIONALE

Një zyrtar i Hamasit thotë se askush s’e ka idenë se sa pengje janë ende gjallë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjendja e rreth 120 pengjeve që ndodhen në Gaza është jetike për ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë televizionit CNN se “askush s’e ka idenë” se sa prej tyre janë ende gjallë dhe se çfarëdo pakti për lirimin e tyre duhet të përfshijë garanci për armëpushim të plotë dhe tërheqje të tërësishme të forcave izraelite nga enklava palestineze.

Në një intervistë me televizionin amerikan, zëdhënësi i Hamasit dhe anëtari i byrosë politike të këtij grupi, Osama Hamdan, ofroi pamje të qëndrimeve të Hamasit rreth bisedimeve të ngecura për armëpushim dhe për çështje të tjera.

Duke folur në Bejrut të Libanit me korrespondentin e televizionit CNN, Ben Wedeman, Hamdani tha se propozimi më i ri në tavolinë – një plan izraelit që së pari ishte nxjerrë në publik nga presidenti Joe Biden muajin e kaluar – nuk i plotëson kërkesat e grupit për ta përfunduar luftën.

Hamdani tha se Hamasit i nevojitet “një pozicion i qartë nga Izraeli për t’i pranuar armëpushimin, një tërheqjen të plotë nga Gaza dhe për t’i lënë palestinezët që ta përcaktojnë të ardhmen e tyre vetë, rindërtimin, [largimin e] rrethimit… dhe ne jemi të gatshëm për të biseduar për një marrëveshje të drejtë për shkëmbimin e të burgosurve”.

Bisedimet për propozimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara janë intensifikuar ditëve të fundit, por u duk sikur ngecën prapë të mërkurën, pasi Hamasi e paraqiti përgjigjen e vet ndaj dokumentit, 12 ditë pasi e kishte pranuar.

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, ka shprehur zemërim për atë që e ka quajtur vendim të Hamasit për të dorëzuar “ndryshime të shumta”, duke i cilësuar disa prej tyre si “përtej pozicioneve që [Hamasi] i kishte marrë më parë”.

Lajme të ngjashme