Një vajzë 4-vjeçare vdiq nga uria në Gaza - NACIONALE

Një vajzë 4-vjeçare vdiq nga uria në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Katërvjeçarja Razan Abu Zaher vdiq të dielën në një spital në pjesën qendrore të Gazës nga ndërlikimet e shkaktuara nga uria dhe kequshqyerja, sipas një burimi mjekësor.

Të paktën 76 fëmijë në Gaza kanë vdekur nga kequshqyerja që nga fillimi i konfliktit në tetorin e vitit 2023, si dhe dhjetë të rritur, thotë Ministria e Shëndetësisë. Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit, shumica e rasteve fatale ndodhën nga koha kur autoritetet izraelite e filluan zbatimin e një bllokade në fillim të marsit, raporton televizioni CNN.

Razan ishte nj nga të paktën katër fëmijët që vdiqën në tri ditët e fundit – më i riu vetëm tremuajsh. Gjatë 24 orëve të fundit, 18 vdekje nga uria janë regjistruar në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendje që e pasqyron krizën që po thellohet në enklavë.

Një ekip i televizionit CNN ishte takuar me 4-vjeçaren Razan para një muaji. Ajo tashmë ishte e dobët nga uria. Nëna e saj, Tahrir Abu Daher, kishte thënë atëherë se nuk kishte të holla për t’i blerë qumësht vajzës. Ky produkt ishte rrallë i disponueshëm edhe në raste të tjera.

“Shëndeti i saj ishte shumë i mirë para luftës, por pas luftës, gjendja e saj filloi të përkeqësohej për shkak të kequshqyerjes. Nuk ka asgjë për ta forcuar atë” – kishte thënë nëna e shqetësuar.

Ky takim kishte ndodhur më 23 qershor. Fëmija tashmë ndodhej në spital për 12 ditë. Mbijetoi vetëm edhe 27 ditë të tjera.

Vogëlushja Razan vdiq në kohën e shtimit të urisë në Gaza, kur rrjedhja e ndihmave humanitare është kufizuar ndjeshëm nga fillimi i marsit, kur autoritetet izraelite ua ndaluan hyrjen në enklavë autokolonave me dërgesa.

Kjo bllokadë u hoq pjesërisht në fund të majit, por agjencitë e ndihmave thonë se sasia e asistencës që po futet në Gaza është shumë e vogël për popullsinë e saj.

Izraeli ka thënë se po i ndalte dërgesat e ndihmave në Gaza, sepse Hamasi po i vidhte dhe po përfitonte prej tyre, akuzë që grupi palestinez e ka mohuar./Nacionale

Lajme të ngjashme