Një ushtar rus dezerton në Ukrainë, kishte spiunuar me muaj për një grup rezistence
Një ushtar rus ka dezertuar në Ukrainë, sipas Legjionit “Liri për Rusinë”, “Projektit Dua të Jetoj” dhe inteligjencës ukrainase të mbrojtjes.
Ushtari dezertor, me nofkën “Argjendi”, ishte ushtar aktiv në njësinë “Stuhia” para se të paraqitej si vullnetar për Legjionin “Liri për Rusinë” gjatë “dimrit të vitit 2024”, tha grupi i disidentëve që luftojnë për Ukrainën, raporton televizioni CNN.
“Argjendi”, 24-vjeçar nga Siberia që ishte bërë pjesë e ushtrisë ruse më 2021, i dha arsyet për dezertim në një intervistë të publikuar në faqen “YouTube” për projektin “Dua të Jetoj”, nismë e Qeverisë së Ukrainës që pranon apele nga ushtarët rusë në Ukrainë që duan të dorëzohen.
“Doja të shërbeja në ushtri, e dhashë betimin për ta mbrojtur mëmëdheun tim. Mëmëdheu im është atje [në Rusi] dhe askush nuk e sulmoi atë. Nuk doja të shërbeja për Rusinë gjatë luftës dhe nuk desha të vdisja për Putinin” – tha ai.
“Argjendi” kishte marrë pjesë në luftime në zonën lindore të Ukrainës, në Avdiivka, nga ana ruse e kufirit si operator dronësh, shpjegoi ai në intervistë. Ai më parë kishte shërbyer edhe në kufirin e Rusisë me Kinën.
Duke ikur nga njësia “Stuhia”, “Argjendi” “aktivizoi pajisje shpërthyese” në selinë qendrore të njësisë, duke i lënduar seriozisht komandantin dhe disa oficerë të lartë, sipas Legjionit “Liri për Rusinë”.
Legjioni publikoi një video në kanalin e vet në “YouTube”, të incizuar nga një kamerë e fshehur, duke pretenduar se aty shfaqet operacioni. Disa burra shihen në uniforma ushtarake para se të ndodhë shpërthimi, duke shkaktuar zjarr./Nacionale