Një raketë hulumtuese suedeze bie në Norvegji, reagon Osloja
Një raketë për qëllime hulumtuese ka rënë nga Suedia në Norvegji pas një problem gjatë fluturimit.
Raketa u hodh në orën 7 e 20 minuta sipas kohës lokale të hënën nga Qendra Hapësinore “Esrange”, para se të binte në një zonë malore norvegjeze, raporton televizioni BBC.
Korporata Hapësinore Suedeze, e cila e ka në pronësi dhe e menaxhon këtë qendër, ka kërkuar falje dhe është duke e hetuar rastin. Megjithatë, Norvegjia e ka kritikuar Suedinë se ka dështuar që ta informojë në mënyrë formale për hedhjen e raketës.
Sipas qendrës suedeze, raketa arriti lartësi prej 250 kilometrash dhe e preku gravitetin zero, ku hulumtuesit ishin duke kryer eksperimente.
Më pas, raketa ra 40 kilometra në veriperëndim të zonës së planifikuar, në komunën Malselv të veriut të largët norvegjez, rreth dhjetë kilometra larg zonës më të afërt të banimit.
Askush nuk është lënduar nga kjo raketë dhe nuk është raportuar as për dëme materiale.
Instrumenti shkencor brenda raketës është nxjerrë në gjendje të mirë dhe është kthyer në qendrën hapësinore përmes helikopterit.
“Ky është një devijim që ne e marrim seriozisht. Është ende shumë herët për të spekuluar për shkakun dhe presim më shumë informata nga hetimi i tanishëm”- tha Marko Kohberg-u nga Qendra Hapësinore “Esrange”.
Kjo qendër shtoi se autoritetet norvegjeze dhe suedeze janë kontaktuar pak pas incidentit, sipas procedurës rutinore.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Norvegjisë tha se nuk është informuar në mënyrën e duhur qoftë për rënien e raketës, qoftë për nxjerrjen e instrumentit shkencor të saj dhe se merr seriozisht çfarëdo aktiviteti të paautorizuar brenda kufijve të saj.
“Kur një shkelje e tillë e kufirit ndodh, është jetike që ata që janë përgjegjës t’i informojnë menjëherë autoritetet përkatëse norvegjeze përmes kanaleve të duhura”- tha ministria norvegjeze.
Raketa “Texus-58” është pjesë e një programi evropian të menaxhuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.
