Një qen i ngordhi në operacionet pas tërmetit, Meksika merr dhuratë një tjetër nga Turqia
Një qen i racës Pastor Gjerman është rrugës për në Meksikë nga Turqia. Ai është bërë dhuratë si gjest mirënjohjeje nga qeveria turke për ndihmën që qentë e kërkim-shpëtimit të autoriteteve meksikane e kanë dhënë pas tërmetit shkatërrues të shkurtit.
Turqia tha se shpreson që qeni i ri do ta bartë trashëgiminë e Proteo-s, qeni meksikan i shpëtimit që ngordhi gjatë kërkimit për të mbijetuar nën rrënoja, raporton televizioni BBC.
Në anën tjetër, Meksika tha se dhurata e Turqisë tregon se ndihma humanitare nuk njeh kufi. Qenit nuk i është vënë emri ende.
Ministria e Mbrojtjes e Meksikës, e cila merret edhe me trajnimin e qenve për shpëtim për misionet brenda e jashtë vendit, ka kërkuar nga njerëzit që të votojnë për njërin prej tre emrave të propozuar: Proteo II, Arkadash (nga turqishtja: mik) ose Yardim (nga turqishtja: ndihmë).
Kjo ministri publikoi një link në të cilin njerëzit mund ta përcjellin fluturimin e aeroplanit në të cilin ndodhet qeni. Ai është nisur nga Stambolli dhe do të dërgohet në Mexico City.
Meksika, vend i rrezikuar nga tërmetet, ka ekipe civile dhe ushtarake me qen të specializuar për kërkim të të mbijetuarve në rast të fatkeqësive.
Kur Turqia dhe Siria u goditën nga dy tërmete të fuqishme më 6 shkurt, Meksika shpejt dërgoi ekipe me qen shpëtimi për të gjetur njerëz të mbijetuar nën rrënoja.
Në mesin e qenve të dërguar në Turqi ishte edhe Proteo, qen 9-vjeçar i racës Pastor Gjerman, i cili arriti që të gjente një burrë dhe një grua nën rrënoja.
Trajneri i qenit i ka mohuar thashethemet se kafsha ishte zënë nga rrënojat, duke thënë se qeni ka ngordhur nga dërrmimi pas udhëtimit të gjatë e kohës së gjatë duke kërkuar të mbijetuar në mot shumë të ftohtë.
Trupi i qenit është kthyer në Meksikë, ku është nderuar me një ceremoni emocionale para se të varrosej.