Një prej aksidenteve më të mëdha automobilistike ndonjëherë, lë të paktën një të vdekur - NACIONALE

Një prej aksidenteve më të mëdha automobilistike ndonjëherë, lë të paktën një të vdekur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën një person tragjikisht vdiq në atë që po përshkruhet të jetë një prej aksidenteve më të mëdha ndonjëherë me vetura.

Shifrat e hershme aludojnë në më shumë se 200 vetura të përfshira në disa grumbuj përplasjesh, të cilat ndodhën në një urë në qytetin kinez, Zhengzhou sot (28 dhjetor).

Pamjet shokuese dhe klipet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë shkallën e dëmtimit, me vetura dhe kamionë mbi njëri-tjetrin.

Zyrtarët thonë se incidenti u shkaktua nga rrugët e ngrira dhe mjegulla jashtëzakonisht e dendur, e cila është evidente në disa video.

Shërbimet lokale të motit potencuan se mjegulla nënkuptoi se vizibiliteti u zvogëlua në 500 metra në mëngjes, derisa tutje gjatë ditës ra në 200 metra.

Në një klip, një burrë mund të shihet duke shikuar dëmin në njërin prej automjeteve, derisa një tjetër tregon një dëshmitar duke thënë: "Kjo është shumë e frikshme. Plot me njerëz këtu. Nuk mendoj se mund të largohemi nga ura".

Sipas "Reuters", shumë prej atyre të përfshirë në përplasje kishin mbetur të ngujuar në makina.

Shërbimet emërgjente menjëherë nxituan në vendin e ngjarjes për të ndihmuar në shpëtimin e të ngujuarve.

Departamenti i zjarrit thuhet të ketë nisur 11 kamionë dhe dhjetra shpëtimtarë në mënyrë që të ndihmojë të zgjidhet situata alarmuese.

Një numër i shoferëve të lënduar dhe pasagjerëve u dërguan me nxitim në spitalin lokal për trajtim, me vetëm një vdekje të raportuar.

Asnjë detaj për viktimën apo ata që mbetën të lënduar nuk është publikuar deri në kohën e këtij shkrimi.

"Global Times" raporton se një person në vendin e ngjarjes me emrin Zhang, tha për "Xiaoxiang Morning Herald" se aksidentet ndikuan në bllokimin e trafikut në një rreze prej tre deri në katër kilometra ku u përfshinë qindra vetura.

"Kishte mjegull këtë mëngjes, kishte ujë në urë dhe zonë me rrëshqitje, dhe tash automjetet po vinin njëra pas tjetrës", shpjegoi ai.

Gazeta në fjalë kontaktoi me departamentin e urgjencës së Zhengzhou, por i është thënë se nuk ka ndonjë zhvillim të ri rreth situatës aktualisht.

Policia tashmë ka mbyllur urën, me përditësime që pritet të vijnë në orët në vazhdim.

Më herët këtë javë, rezidentët lokalë u paralajmëruan për motin me mjegull dhe si mund të shkaktonte komplikime në komunikacion.

Lajme të ngjashme