Një pacienti i largohet guri më i madh në veshkë në botë me peshë marramendëse
Guri më i madh në veshkë në botë është larguar nga një pacient në Sri-Lankë. Ai është i madh sa një grejpfrut, i gjatë sa një banana dhe peshon goxha.
Guri i hequr nga veshka është 13,37 centimetra i gjatë dhe peshon 801 gramë, duke thyer dy rekorde të mëparshme, kur u hoq nga mjekët e ushtrisë së Sri-Lankës më 1 qershor, raporton televizioni CNN.
Rekordet e mëparshme ishin 13 centimetra për gjatësi, rekord i vendosur në Indi më 2004, dhe 620 gramë për peshë, rekord i vendosur në Pakistan më 2008, sipas Librit të Rekordeve “Guinness”.
Përfaqësuesit e librit kanë konfirmuar se të dyja rekordet u thyen me heqjen e gurit nga pacienti në Sri-Lankë në Spitalin Ushtarak të Kolombos.
Gurët në veshka përbëhen nga materiale të ngurta që kristalizohen në veshka, uretër ose fshikëz për shkak të faktorëve gjenetikë ose mjedisorë.
Ata janë relativisht të shpeshtë dhe prekin rreth 10 për qind të njerëzve në një periudhë të caktuar të jetës. Sipas disa studimeve, prania e gurëve në veshka mund të jetë duke u bërë problem edhe më i shpeshtë.
Shumica e llojeve të tyre mund të shmangen duke qëndruar të hidratuar dhe duke e pakësuar konsumimin e kripës. Sipas Klinikës “Mayo”, pirja e 1,9 deri në 2,8 litrave ujë në ditë mund të ndihmojë për largimin e gurëve të vegjël, që janë më të vogël se tri milimetra në diametër, përmes sistemit urinar.