Një norvegjez zgjohet në mëngjes – gjen një “mysafire” të madhe në oborr
Nuk priste mysafirë, të paktën jo aq herët. Kur një burrë norvegjez u zgjua në mëngjes, pa se shumë afër shtëpisë po e priste një “mysafire” krejt e pazakontë – një anije gjigante e mallrave.
Anija e gjatë 135 metra për pak nuk e preku shtëpinë e Johan Helbergut rreth orës 5 të mëngjesit të së enjtes, raporton televizioni BBC.
Ai e mori vesh lajmin nga fqinji që kishte pësuar panik, pasi e kishte parë anijen duke iu afruar bregut në Byneset, afër qytetit Trondheim.
“Zilja cingëroi në një kohë kur nuk më pëlqen ta hap derën. Iu afrova dritares dhe isha goxha i çuditur, kur pashë një anije të madhe” – tha ai në një intervistë.
“M’u desh ta lakoja qafën për ta parë pjesën e sipërme të saj. Ishte shumë joreale” – shtoi norvegjezi.
“Pesë metra më në jug dhe do të kishte hyrë në dhomën time të gjumit. Nuk dëgjova asgjë” – i tha ai një televizioni norvegjez.
Fqinji Jostein Jorgensen tha se atij iu prish gjumi nga zëri i anijes, përderisa ajo po lëvizte me shpejtësi të plotë drejt tokës, dhe vrapo te shtëpia e Helbergut.
“Isha i sigurt se ai tashmë kishte dalë jashtë, por jo, nuk kishte shenjë jete. I rashë shumë herë ziles dhe asgjë. Ia dola të kontaktoja me të vetëm kur e thirra në telefon” – tha Jorgenseni.
Anija me flamur të Qipros, “NCL Salten”, kishte 16 anëtarë ekuipazhi dhe po lundronte drejt jugperëndimit, nëpër fjordin e Trondheimit, kur iu devijua drejtimi. Askush nuk u lëndua.
Nuk dihet se çfarë e shkaktoi përplasjen e saj në breg dhe thuhet se policia norvegjeze është duke e hetuar rasti.
“Është një fqinje e re shumë masive, por së shpejti do të ikë” – tha Helbergu./Nacionale