Një ndërtesë në qendër të Moskës dëmtohet nga sulmi me dron
Zyrtarët rusë e kanë akuzuar Ukrainën për një sulm me dron ndaj një ndërtese në Moskë, duke shkaktuar një shpërthim që është dëgjuar në mbarë distriktin biznesor të kryeqytetit të Rusisë.
Kryetari i qytetit, Sergei Sobyanin, tha se sistemi i mbrojtjes ajrore e ka rrëzuar dronin, ndërsa mbetjet e tij kanë rënë në ndërtesën “Expo Center”, raporton televizioni BBC.
Në disa pamje të pavërtetuara në rrjete sociale duket se shfaqej tymi i dendur i hirtë duke u shpërndarë në qiell mbi Moskë.
Nuk pati komente të menjëhershme nga Ukraina, por zyrtarët në Kiev kurrë nuk e kanë pranuar zyrtarisht përgjegjësinë për kryerjen e sulmeve ndaj caqeve në Moskë.
Sulmi ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit sipas kohës lokale, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në rrjetin “Telegram”, duke shtuar se pas aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore, droni e kishte ndryshuar drejtimin, duke rënë në një ndërtesë jo-banimi në zonën ku ndodhen disa ndërtesa qeveritare.
“Expo Center” është një hapësirë e madhe për ekspozita që përdoret për konferenca dhe kongrese dhe ndodhet më pak se pesë kilometra larg Kremlinit.
Një dëshmitar që ndodhej në atë zonë i tha agjencisë “Reuters” se sulmi kishte shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbetjet e dronit nuk kishin shkaktuar zjarr, ndërsa kryetari Sobyanin tha se droni nuk kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm në ndërtesë.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Tass”, raportoi se njëri nga muret e qendrës ishte shembur pjesërisht, duke i cituar shërbimet emergjente. Kjo agjenci tha se zona e prekur është rreth 30 metra katrorë.