Një minator vdes e dy mbesin të ngujuar në një minierë thëngjilli në Slloveni - NACIONALE

Një minator vdes e dy mbesin të ngujuar në një minierë thëngjilli në Slloveni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një minator vdiq dhe punëtorët e shpëtimit po mundoheshin që të arrinin te dy të tjerë që kishin mbetur të ngujuar, pasi uji dhe balta depërtuan në tunele nëntokësore në një minierë thëngjilli në Velenje të Sllovenisë, thanë të martën zyrtarë të minierave.

Shkaktari i aksidentit të së hënës mbrëma nuk është përcaktuar, por inspektorët e minierave ishin në vendin e ngjarjes, raportuan mediat lokale, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.

“Njëmbëdhjetë punëtorë arritën që të largoheshin, ndërsa tre punëtorë mbetën në zonë të mbuluar nga mbetjet” – tha drejtori i minierës “Premogovnik Velenje”, Marko Mavec, para gazetarëve në vendin e ngjarjes.

Mavec tha se “shpresa vdes e fundit”, përderisa po bëheshin përpjekje për t’i nxjerrë dy minatorët e ngujuar, por tha se situata nuk ishte inkurajuese dhe se përpjekja për shpëtim ishte e rrezikshme.

Prodhimi në minierë është pezulluar. Ajo është pjesë e kompanisë “Holding Slovenske Elektrarne Group” dhe kryesisht e furnizon me thëngjill termocentralin në Sostanj.

“Prodhimi... do të ndalet derisa të përfundojë operacioni i shpëtimit dhe një program i posaçëm i asistencës do të themelohet për familjet e viktimave” – tha të martën kryeministri Robert Golob gjatë një vizite në minierë./Nacionale

Lajme të ngjashme