Një kopsht zoologjik në Danimarkë kërkon kafshë shtëpiake për ushqim për kafshët e veta - NACIONALE

Një kopsht zoologjik në Danimarkë kërkon kafshë shtëpiake për ushqim për kafshët e veta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një kopsht zoologjik në Danimarkë po kërkon nga pronarët e kafshëve shtëpiake që t’i dhurojnë lepujt, pulat dhe madje kuajt e vegjël që nuk i dëshirojnë më t’i dhurojnë për t’u përdorur si ushqim për kafshët grabitqare të kopshtit.

Kopshti zoologjik “Aalborg” tha në një shkrim në rrjetin “Facebook” se po mundohet që ta “imitojë zinxhirin natyror të ushqimit të kafshëve”, raporton televizioni CNN.

“Pulat, lepujt dhe derrkucat e guinesë formojnë një pjesë të rëndësishme të dietës së grabitqarëve tanë” – thuhet në shkrimin e kopshtit zoologjik, i shoqëruar me fotografinë e një rrëqebulli me gojë të hapur e me dhëmbë të mprehtë.

“Në atë mënyrë, asgjë nuk shkon dëm – dhe ne i sigurojmë sjelljen, ushqyerjen dhe mirëqenien natyrale të grabitqarëve tanë” – thuhet më tej.

Në uebfaqen e vet, kopshti zoologjik tha se kafshët e dhuruara do të “eutanizohen me butësi” nga stafi i trajnuar para se të shërbehen si ushqim. Në këtë kopsht ka kafshë grabitqare si luani aziatik, rrëqebulli evropian dhe tigri i Sumatrës.

Kërkesa publike e kopshtit ka nxitur debat të konsiderueshëm në internet. Disa njerëz kanë dalë kundër shndërrimit të kafshëve shtëpiake në ushqim për kafshë të tjera, por disa të tjerë i kanë vlerësuar përpjekjet e kopshtit zoologjik për ta ruajtur sjelljen natyrale të ushqyerjes.

Nëndrejtoresha e kopshtit zoologjik “Aalborg”, në një deklaratë të dërguar me postë elektronike tha se kjo nismë është zbatuar me vite dhe është praktikë e zakonshme në Danimarkë.

“Në Danimarkë, kjo praktikë është e zakonshme dhe shumë prej mysafirëve dhe partnerëve tanë e vlerësojnë mundësinë për të kontribuuar. Kafshët që ne i pranojmë si donacione janë pulat, lepujt, derrkucat e guinesë dhe kuajt” – tha ajo./Nacionale

Lajme të ngjashme