Një indian vritet e një tjetër plagoset gjatë shërbimit në ushtrinë ruse
Një shtetas indian, mësa duket i rekrutuar nga ushtria ruse, është vrarë dhe një tjetër po merrte trajtim për lëndime në një spital të Moskës, tha të martën Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi “është angazhuar fuqishëm” për këtë çështje me autoritetet ruse në Moskë dhe me ambasadën ruse në Neë Delhi dhe e ka përsëritur kërkesën e saj për lirim të hershëm të shtetasve indianë që ende kanë mbetur duke shërbyer në ushtrinë ruse, tha kjo ministri në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne jemi duke punuar me autoritetet ruse për transportimin e hershëm të mbetjeve mortore në Indi” – tha Ministria e Jashtme e Indisë. “Ne gjithashtu e kemi kërkuar lirimin e hershëm dhe riatdhesimin në Indi të personit të lënduar” – thuhet më tej në njoftim, ku shtohet se dy shtetasit janë nga shteti jugor indian, Kerala.
Në maj të vitit të kaluar, policia indiane kishte arrestuar katër persona të lidhur me një rrjet të trafikuesve të njerëzve nën dyshimin se kishin joshur burra të rinj për të shkuar në Rusi me premtimin për vende pune fitimprurëse ose regjistrim në universitete që më pas t’i detyronin për të luftuar në luftën e Ukrainës.
Pas vdekjeve të shtetasve indianë vitin e kaluar në luftë, India kishte kërkuar që të kishte ndërprerje të vërtetuar të rekrutimit të shtetasve indianë nga ushtria ruse dhe u kishte bërë thirrje indianëve që të tregonin kujdes gjatë kërkimit të punës në Rusi.
Rreth 45 shtetas indianë ishin liruar nga ushtria ruse dhe përpjekjet ishin duke u bërë për të liruar edhe 50 të tjerë, tha në shtator Ministria e Jashtme e Indisë./Nacionale