Një i vrarë e katër të lënduar nga dhuna pas zgjedhjeve në Turqi - NACIONALE

Një i vrarë e katër të lënduar nga dhuna pas zgjedhjeve në Turqi

2 javë më parë

nga NACIONALE

Vëllai i një kandidati të opozitës u vra dhe katër persona të tjerë u lënduan gjatë përleshjeve mes kundërshtarëve dhe përkrahësve të kryetarit të porsazgjedhur të një distrikti qyteti me popullsi kryesisht kurdë në juglindje të Turqisë.

Përkrahësit e partisë AKP të presidentit Rexhep Erdogan u përleshën me mbështetësit e partisë opozitare DEVA në distriktin Pervari të qytetit Siirt të martën në mbrëmje, pas zgjedhjeve lokale të së dielës në të cilat opozita arriti rezultate kryesisht të kënaqshme në mbarë vendin, raporton agjencia “Reuters”.

Në këtë distrikt, kandidati i AKP-së për kryetar fitoi 52 për qind të votave, ndërsa kandidati i DEVA-s doli i dyti me 40 për qind.

Zyra e guvernatorit tha se pesë persona ishin lënduar gjatë përleshjeve, njëri prej të cilëve vdiq nga plagët. Nënkryetari i DEVA-s, Emin Ekmen, e identifikoi të vdekurin si vëlla i kandidatit të partisë.

DEVA ishte njëra nga gjashtë partitë e aleancës opozitare para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, kur Erdogani siguroi një mandat të ri 5-vjeçar, ndërsa aleanca e tij shumicën parlamentare.

Policia është duke e hetuar incidentin dhe gjashtë persona janë ndaluar, tha zyra e guvernatorit në Siirt, duke shtuar se është vendosur orë policore në distriktin Pervari deri të enjten në mëngjes për arsye sigurie.

Protestat gjithashtu u përhapën në pjesë të tjera të provincave juglindore të Turqisë të martën në mbrëmje, pasi autoritetet turke ia parandaluan kryetarit të porsazgjedhur të partisë prokurde DEM që ta merrte pozitën në qytetin Van dhe njoftuan rivotim në distriktin Hilvan të Sanilurfa-s ku AKP-ja humbi.

Në pamje u panë protestues në provincën Batman duke hedhur fishekzjarrë drejt policisë, ndërsa autoritetet përdorën kamionë uji e shumë pjesëtarë të forcave të sigurisë u vendosën përreth qytetit Hakkari, ku gjithashtu pati protesta.

Lajme të ngjashme