Një grua për herë të parë në krye të ushtrisë australiane
Australia tha të hënën se një grua do ta udhëheqë ushtrinë e saj për herë të parë në historinë e vendit, si pjesë e një riformatimi të udhëheqjes së forcës mbrojtëse të shtetit të largët.
Gjeneral Lejtënant Susan Coyle, e cila tani për tani është shefe e kapaciteteve të përbashkëta, do të bëhet komandante e ushtrisë në korrik, thuhet në një deklaratë qeveritare. Ajo do ta zëvendësojë Gjeneral Lejtënant Simon Stuart, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Emërimi i zonjës Coyle vjen në kohën kur ushtria australiane po synon që ta rrisë numrin e oficereve në rangjet e saj. Ushtria ballafaqohet me një valë pretendimesh për ngacmime seksuale dhe diskriminim.
“Nga korriku, ne do ta kemi gruan e parë ndonjëherë shefe të ushtrisë në historinë 125-vjeçare të Ushtrisë së Australisë” – tha në një deklaratë kryeministri Anthony Albanese.
Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, e quajti “moment thellësisht historik” emërimin e zonjës Coyle në krye të ushtrisë.
“Arrija e Susan-it do të jetë thellësisht domethënëse për gratë që janë duke shërbyer sot në Forcën Mbrojtëse Australiane dhe për gratë që po mendojnë të shërbejnë në Forcën Mbrojtëse Australiane në të ardhmen” – tha ai.
Coyle, tani 55 vjeçe, ishte bërë pjesë e ushtrisë më 1987 dhe ka mbajtur një numër të pozitave të larta komanduese. Ajo do të jetë gruaja e parë që do të udhëheqë cilëndo degë të ushtrisë, tha ministri Marles.