Një gjykatës amerikan e bllokon dëbimin e aktivistit palestinez që udhëhoqi protesta kundër Izraelit - NACIONALE

Një gjykatës amerikan e bllokon dëbimin e aktivistit palestinez që udhëhoqi protesta kundër Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një gjykatës në Shtetet e Bashkuara e ka bllokuar dëbimin e aktivistit të njohur palestinez, Mahmoud Khalil, i cili kishte ndihmuar në udhëheqjen e protestave studentore në Universitetin e Kolumbias kundër Izraelit për shkak të luftës në Gaza.

Khalili, i cili ka leje për banim të përhershëm në ShBA, po mbahet në ndalim nga autoritetet amerikane të migracionit në një qendër në Louisiana pas arrestimit të tij, sipas të dhënave nga zyrtarët, raporton gazeta “The Guardian”.

Një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë së Atdheut si dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e kanë konfirmuar arrestimin e aktivistit palestinez. Zëdhënësja tha se arrestimi i tij është bërë në mbështetje të urdhrave të presidentit Donald Trump “që e ndalojnë antisemitizmin”. Departamenti i Sigurisë së Atdheut pretendoi se veprimet e Khalilit përbëjnë “aktivitete të rreshtuara prapa Hamasit”.

Gjykatësi i distriktit jugor të Nju-Jorkut, Jesse M Furman, e njoftoi bllokimin e një urdhri të hënën mes protestash pas arrestimit të tij.

Udhëheqësi demokrat i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i bëri thirrje Departamentit të Sigurisë së Atdheut të hënën në mbrëmje që të “prodhojë fakte dhe dëshmi të aktivitetit kriminal”.

Khalili u arrestua nga agjentët për migracion edhe pse kishte kartë të gjelbër, rrjedhimisht duke qenë banor i përhershëm i ShBA-së./Nacionale

Lajme të ngjashme