Një gjykatë e lartë italiane e miraton ekstradimin e të dyshuarit ukrainas për “Nord Stream” në Gjermani
Një gjykatë e lartë në Itali e ka miratuar ekstradimin në Gjermani të një burri ukrainas të dyshuar për bashkërendimin e sabotimit ndaj gazsjellësit “Nord Stream”, tha të mërkurën avokati i tij, Nicola Canestrini.
I dyshuari, i identifikuar vetëm si Serhii K. sipas ligjeve gjermane për mbrojtjen e privatësisë, ka qenë duke i luftuar përpjekjet për ekstradimin e tij në Gjermani që nga koha kur ishte arrestuar sipas një urdhërarresti Italian në qytezën italiane Rimini në gusht, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vendimi i gjykatës italiane në Romë nënkupton se i dyshuari do t’u dorëzohet autoriteteve gjermane ditëve në vijim.
“Sado i madh zhgënjimi, unë mbetem me besim në lirim [nga akuzat] as gjyqit të plotë në Gjermani. Drejtësia është rrugë torturuese, rezultat i punës së vazhdueshme, e jo… një mrekulli që e plotëson veten” – tha Canestrimi në një deklaratë.
Të përshkruara nga Rusia e Perëndimi si akte sabotimi, shpërthimet misterioze në Detin Baltik para tri viteve e kishin dëmtuar rëndë transitin e gazit rus drejt Evropës, duke i pakësuar dërgesat e energjisë për kontinentin e vjetër.
Serhii K., ish-oficer në ushtrinë ukrainase, mohon se ka pasur ndonjë rol në këto sulme.
Sidoqoftë, prokurorët gjermanë besojnë se ai ishte pjesë e një grupi që kishte vendosur pajisje në gypat e gazsjellësit afër ishullit danez Bornholm në Detin Baltik.
Ai ballafaqohet me akuza për bashkëpunim për shkaktim të shpërthimit, sabotim antikushtetues dhe shkatërrim të strukturave të rëndësishme./Nacionale