Një foshnjë trejavëshe vdiq nga të ftohtët në Gaza - NACIONALE

Një foshnjë trejavëshe vdiq nga të ftohtët në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një foshnjë trejavëshe e gjinisë femërore ka vdekur nga të ftohtët në Gaza dhe të paktën njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore, përderisa Izraeli e Hamasi e akuzuan njëri-tjetrin për ndërlikimin e përpjekjeve për armëpushim.

Foshnja trejavëshe ishte e treta që vdiq nga të ftohtët në kampet me tenda në Gaza ditëve të fundit, thanë mjekët, raporton gazeta “The Guardian”.

Vdekja e tyre i nënvizon kushtet e rënda atje, ku qindra mijëra palestinezë janë dyndur në tenda, pasi kanë ikur nga ofensivat izraelite.

Babai i foshnjës trejavëshe me emrin Sila, Mahmoud al-Faseeh, e kishte mbështjellë vajzën me një batanije në përpjekje për ta mbajtur ngrohtë në tendën e tyre në zonën Muwasi, afër qytezës Khan Younis, por kjo nuk kishte mjaftuar, i tha ai agjencisë së lajmeve “Associated Press”.

Sipas tij, tenda nuk ishte e izoluar për t’u mbrojtur nga era dhe toka ishte e ftohtë, pasi temperatura të martën ra në 9 gradë Celsius.

“Ishte shumë ftohtë natën dhe as ne si të rritur nuk mund ta përballonim. Nuk mund të qëndronim ngrohtë” – tha ai. Sila ishte zgjuar duke qarë tri herë gjatë natës dhe në mëngjes e gjetën pa ndjenja. Trupin e kishte të ngurtë.

“Ishte si dru” – tha babai i saj. Familja e dërgoi vajzën me nxitin në një spital fushor, ku mjekët u munduan ta shpëtonin, por mushkëritë i ishin përkeqësuar.

Pesë njerëz u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën nga një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në lagjen Zeitoun të Qytetit Gaza të enjten herët, raportuan mjekët në Gaza. Ata paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritej, sepse shumë njerëz kishin mbetur të ngujuar nën rrënoja.

Në një incident tjetër, pesë gazetarë u vranë, kur automjeti i tyre u godit në afërsi të spitalit “Al-Awda” në Nuseirat, thanë autoritetet shëndetësore. Gazetarët punonin për televizionin “Al-Quds Al-Youm”.

Mediat palestineze dhe raportuesit lokalë thanë se automjeti e kishte shenjën e mediave dhe përdorej nga gazetarët për të raportuar nga brendësia e spitalit dhe nga kampi “Nuseirat”. Ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore e sulmuan automjetin “në mënyrë të shënjestruar” dhe se brenda tij kishte anëtarë të grupit militant Xhihadi Islam.

Lajme të ngjashme