Një e moshuar vritet nga bombardimet ruse në Kharkiv - NACIONALE

Një e moshuar vritet nga bombardimet ruse në Kharkiv

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një grua e moshuar u vra të shtunën herët në mëngjes nga bombardimet e forcave ruse në një vendbanim të rajonit Kharkiv, në lindje të Ukrainës, sipas një zyrtari lokal.

“Këtë mëngjes, rreth orës 5 e 10 minuta, armiku shtiu në drejtim të fshatit Kupiansk-Vuzlovyi të distriktit Kupiansk. Një ndërtesë banimi u dëmtua. Një grua 73-vjeçare vdiq”- tha në rrjetin telegram guvernatori i Kharkivit, Oleh Synehubov.

Pjesët lindore të rajonit të Kharkivit lidhen drejtpërdrejt me vijën e frontit dhe forcat ukrainase kanë raportuar për shtim të sulmeve ruse atje në javët e fundit, raporton agjencia “Reuters”.

Autoritetet rajonale në Kharkiv më herët këtë muaj vendosën për evakuim të detyrueshëm të civilëve nga vendbanimet që ndodhen më afër vijës së frontit në distriktin Kupiansk.

Rusia mohon se i vë në shënjestër qëllimisht civilët gjatë luftës në Ukrainë, e cila ndodhet në muajin e 18-të dhe ka rezultuar në vdekjen e mijëra njerëzve, zhvendosjen e miliona të tjerëve dhe shkatërrimin e qyteteve e qytezave ukrainase.

Ndërkohë një zyrtar i emëruar nga rusët në Zaporizhia ka pretenduar se forcat ruse e kanë rimarrë nën kontroll vendbanimin Urozhaine të rajonit Luhansk gjatë një kundërsulmi të kryer natën.

Sipas Vladimir Rogov-it, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 14 dronë ukrainas me të cilët po bëhej përpjekje që të shkatërroheshin pajisje ruse në Gadishullin e Krimesë.

Lajme të ngjashme