Një djalë 12-vjeçar po punon vullnetarisht në një spital të Gazës - NACIONALE

Një djalë 12-vjeçar po punon vullnetarisht në një spital të Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Palestinezi 12-vjeçar, Zakaria Sarsak, ec në mënyrë të vendosur përmes një “deti” njerëzish në spitalin “Al-Aksa” të Gazës. Ai nuk është aty për t’u trajtuar, por po punon si vullnetar, duke i ndihmuar mjekët përmes mbushjes së shiringave dhe lëvizjes së barelave.

Ai vendosi se do t’i ndihmonte të plagosurit gjatë bombardimeve të forcave izraelite që e detyruan edhe atë dhe familjen e tij që të largoheshin nga shtëpia. Tani, Zakaria kalon një pjesë të madhe të kohës në spital, raporton agjencia “Reuters”.

“Unë ndihmoj në sjelljen e njerëzve të lënduar në spitalin “Al-Aksa”. Ne sjellim edhe martirë në morg, shkoj me autoambulancën për t’i sjellë viktimat” – tha djaloshi palestinez.

Zakaria ia hap vetes rrugën korridoreve, duke veshur një rrobë me ngjyrë të kaltër të errët e duke mbajtur doreza në duar. Ai ndërmerr detyra si lëvizja e pacientëve dhe ndihma me leximin e shtypjes së gjakut.

“Kur shkojmë që të marrim njerëz të lënduar pas sulmeve, ndihem i mërzitur për fëmijët. Ne i sjellim të gjithë njerëzit e lënduar në spitalin “Al-Aksa”- shtoi djaloshi.

Spitali “Al-Aksa” është në mesin e pak qendrave mjekësore që ende po u ofron kujdes pacientëve që kanë mbijetuar nga sulmet ajrore izraelite në gjashtë muaj luftë.

Lajme të ngjashme