Një burrë sulmon me thikë e me veturë në Kore Jugore, të paktën 13 të lënduar
Së paku 13 persona janë lënduar gjatë një sulmi nga një burrë afër kryeqytetit të Koresë Jugore, Seul.
Incidenti ndodhi afër një stacioni të hekurudhës nëntokësore në qytezën Seongnam pak para orës 18:00 sipas kohës lokale të enjten, raporton televizioni BBC.
Disa persona janë therur, ndërsa të tjerët raportohet se janë goditur nga një veturë që drejtohej nga sulmuesi i dyshuar.
I dyshuari më vonë u arrestua në vendin e ngjarjes. Motivi për këtë sulm nuk është i qartë.
Informata për atë se sa serioze janë lëndimet nuk është ende e njohur.
Ky rast ndodhi gati dy javë pas një rasti tjetër të therjes në Seul. Një person u vra dhe tre të tjerë u lënduan në atë rast.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, incidentet e dhunshme janë relativisht të rralla në Kore Jugore.