Një burrë në Karolinën e Jugut pritet të ekzekutohet me pushkatim - NACIONALE

Një burrë në Karolinën e Jugut pritet të ekzekutohet me pushkatim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një i burgosur në Karolinën e Jugut të ShBA-së, i shpallur fajtor për vrasjen e prindërve të ish të dashurës me shkop bejsbolli, do të jetë personi i parë në Shtetet e Bashkuara që ekzekutohet me pushkatim në 15 vitet e fundit.

Paralajmërim: Teksti i mëposhtëm përmban hollësi që mund t'u shkaktojnë shqetësim personave të ndjeshëm.

Nëse ekzekutimi i burrit të quajtur Brad Sigmon bëhet sipas planifikimit, të premten në orën 18:00 sipas kohës lokale, tre vullnetarë që do të jenë duke qëndruar prapa një perdeje do të shtien me pushkë njëkohësisht drejt gjoksit të tij me plumba të prodhuar në mënyrë të posaçme, raporton televizioni BBC.

Sipas procedurave shtetërore, kërkohet që i dënuari me vdekje që ekzekutohet me pushkatim të lidhet për një ulëseje. Të dënuarit i vendoset një shënjestër mbi zemër dhe një qese në kokë.

Sigmon, 67 vjeçar, ishte dënuar për vrasjen e David dhe Gladys Larke më 2001 para se ta rrëmbente ish të dashurën nën kërcënimin e armës. Ajo më vonë kishte ikur, përderisa ky kishte shtënë drejt saj.

Edhe pse i ishin ofruar alternativat për ekzekutim me karrige elektrike ose injeksion vdekjeprurës, avokatët e të dënuarit thanë se ai e zgjodhi pushkatimin për shkak të shqetësimit për efikasitetin e dy metodave të para, përcjell gazeta "Nacionale".

Ai do të jetë personi i parë që do të ekzekutohet me pushkatim në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2010 dhe vetëm i katërti që nga koha kur vendi e riktheu në fuqi dënimin me vdekje më 1976.

Plumbat që do të përdoren janë të prodhuar në atë mënyrë që të shkërmoqen me rastin e kontaktit dhe të shkaktojnë dëm sa më të madh. Ekspertët mjekësorë kanë debatuar rreth nivelit të dhimbjes që shkaktohet nga përdorimi i tyre.

Pas shkrepjes së plumbave, një mjek do ta konfirmojnë vdekjen e të dënuarit.

Karolina e Jugut lejon që të ketë dëshmitarë për ta vëzhguar ekzekutimin prapa xhamave antiplumb, por ata që i shkrepin armët nuk do të mund të shihen nga dëshmitarët në mënyrë që të mbrohet identiteti i tyre./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme