Një barkë me emigrantë përmbyset afër Ishujve Kanarine, shtatë të vdekur
Së paku shtatë njerëz vdiqën, kur një barkë me emigrant u përmbyt përderisa punëtorët e shpëtimit ishin duke e përcjellë deri në një port në Ishujt Kanarine, thanë të mërkurën shërbimet emergjente rajonale.
Transmetuesi shtetëror spanjoll, TVE, tha se barka ishte e ngarkuar me 180 njerëz dhe u përmbyt me t’u afruar te limani La Restinga në El Hierro, ishulli më i vogël i arkipelagut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në mesin e të vdekurve ishin dy vajza 5-vjeçare. Shërbimet emergjente thanë se në mesin e viktimave ishin edhe katër gra dhe një vajzë 16-vjeçare.
Një zëdhënës i shërbimit detar të shpëtimit në Spanjë tha se një barkë shpëtimi ishte duke e përcjellë barkën me emigrant dhe, me t’u afruar te limani, shumë prej pasagjerëve u duk sikur u vendosën me nxitim në njërën anë të saj, duke e shkaktuar përmbytjen.
Transmetimi i drejtpërdrejtë i TVE-së e shfaqi barkën duke u fundosur, ndërsa njerëzit – përfshirë disa fëmijë – duke përfunduar në ujë. Shumë prej tyre po mundoheshin të kapeshin te barka e shpëtimit, ku punëtorët po u hidhnin mjete jetëshpëtuese.
Zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Alexis Ramos, i tha televizionit se anëtarët e disa klubeve lokale të zhytjes kishin ofruar ndihmë në operacionin e shpëtimit.
Një helikopter lokal u dërgua për ta ndihmuar personelin emergjent për t’i nxjerrë njerëzit nga uji, thanë shërbimet emergjente./Nacionale