Një autokolonë e “Wagner”-it shihet në një rajon në jug të Moskës
Televizioni BBC ka verifikuar një video ku shihet një autokolonë e automjeteve ushtarake të grupit “Wagner” duke udhëtuar në autostradën M4, e cila e lidh Voronezhin me Moskën përmes rajonit të Lipetskut.
Guvernatori i Lipetskut u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe ta shmangin udhëtimin, qoftë me automjete private, qoftë me transport publik.
Autoritetet rajonale në Lipetsk kanë thënë se të gjitha shërbimet e autobusëve në rajon janë anuluar deri në një njoftim tjetër.
Voronezhi është njëri nga dy qytetet ku raportohet se mercenarët e grupit famëkeq kanë marrë nën kontroll zona kyçe.
