Një adoleshent në ShBA vret tre bashkëmoshatarë, plagos një tjetër
Një adoleshent 17-vjeçar raportohet se ka vrarë tre bashkëmoshatarë dhe ka plagosur një 14-vjeçar në Karolinën Jugore të Shteteve të Bashkuara.
Lajmin për këtë rast të hënën e bëri të ditur komandanti i policisë lokale, Leon Lott, në një konferencë për gazetarë të hënën, raporton “ABC News”.
Të shtënat të dielën pasdite duket se erdhën pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme. Zyrtari policor tha se bëhej fjalë për një mosmarrëveshje “për diçka budallaqe” të para disa vjetëve.
I dyshuari 17-vjeçar është arrestuar nën akuza për tri vrasje dhe një vrasje në tentativë, tha komandanti policor, duke shtuar se adoleshenti i plagosur është liruar nga spitali.
“Tre fëmijë janë të vdekur. Nëse kjo nuk ju tmerron, atëherë diçka nuk është në rregull, prandaj do të na duhet të bëjmë diçka… Tani është koha për veprim”- tha komandanti Lott.
“Ja ku jemi prapë. Të rinjtë kanë armë dhe bëjnë zgjedhje të dobëta. Tani na përket ne si komunitet (që të ndërmarrim masa)”- tha anëtarja e këshillit lokal në distriktin Richland, Gretchen Barron.
Zyrtari policor nuk tregoi nëse është kapur arma që është përdorur në sulm, por shtoi se adoleshentët lokalë po vjedhin armë nga veturat. Ai njoftoi se 100 vetura janë thyer gjatë fundjavës.