Niveli i ujit në Kurgan të Rusisë e kalon nivelin “e rrezikshëm” - NACIONALE

Niveli i ujit në Kurgan të Rusisë e kalon nivelin “e rrezikshëm”

2 javë më parë

nga NACIONALE

Niveli i ujit në Lumin Tobol, përreth qytetit Kurgan, në pjesën jugore të Maleve Ural në Rusi, e ka kaluar “nivelin e rrezikshëm”, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve, RIA, duke cituar autoritete lokale.

Niveli i ujit në lumin e qytetit që është qendër administrative e rajonit Kurgan, afër kufirit me Kazakistanin, u rrit për 123 centimetra për 24 orë deri të mërkurën në mëngjes, duke arritur në 865 centimetra, raportoi agjencia RIA, përcjell agjencia "Reuters".

Në qendër të Kurganit, sirenat për evakuim janë dëgjuar çdo dy orë, raportoi RIA, duke u bërë thirrje banorëve që të vendosen në zona të sigurta. Zyrtarët thonë se lumi arrin në nivel “të rrezikshëm” porsa uji të mbërrijë në 850 centimetra thellësi.

Më shumë se 660 shtëpi janë vërshuar në rajon deri të mërkurën në mëngjes, citohet të ketë thënë Ministria e Emergjencave.

Banorët e 14 vendbanimeve në distriktin Ishim të rajonit Tyumen, në jugperëndim të Siberisë, gjithashtu po evakuoheshin të mërkurën, pasi rreziku po vinte nga niveli i ngritur i ujit në Lumin Ishim, thanë zyrtarët.

Niveli i ujit në lumenj në pjesë të mëdha të rajoneve të Uralit dhe në jugperëndim të Siberisë, si dhe në disa zona të Kazakistanit, ende ishin duke u rritur shpejt, thanë zyrtarët.

Numri i përgjithshëm i personave të evakuuar nga shtëpitë e tyre shkoi drejt shifrës 200 mijë të martën vonë, pasi guvernatori i rajonit Tyumen u tha banorëve të Ishimit, qytezë me 65 mijë banorë, se ata duhej të largoheshin urgjentisht.

Lajme të ngjashme