Nisin zgjedhjet në Sllovaki, favorit kandidati kundër ndihmës për Ukrainën
Sllovakët po votojnë të shtunën në zgjedhje parlamentare që pritet të sjellin garë të ngushtë mes ish-kryeministrit majtist, Robert Fico, në njërën anë, që është zotuar se do t’u japë fund ndihmave për Ukrainën fqinje, dhe liberalëve pro-perëndimorë, në anën tjetër.
Sipas anketave më të reja para zgjedhjeve, dy partitë kryesore pritet të kenë dallim të vogël në numrin e votave, por e para në sondazhe ka dalë partia e Ficos. Fituesit të zgjedhjeve pritet t’i jepet mundësia e parë për ta zëvendësuar administratën në detyrë, që e ka udhëhequr shtetin me 5,5 milionë banorë nga maji, raporton agjencia “Reuters”.
Një qeveri e udhëhequr nga Fico do të nënkuptonte bashkim të Sllovakisë me Hungarinë në grupin e vendeve të BE-së që e sfidojnë konsensusin e bllokut për ndihmën ndaj Ukrainës, pikërisht në kohën kur Bashkimi Evropian po synon që ta ruajë unitetin kundër luftës së Rusisë.
Fitorja e tij do të fuste Sllovakinë edhe në një bllok të shteteve ish-komuniste me qeveri që janë publikisht armiqësore ndaj liberalizmit, bashkë me Poloninë, ku gjithashtu do të mbahen zgjedhje muajin e ardhshëm, edhe pse Polonia mbetet përkrahëse e Ukrainës.
Një qeveri e udhëhequr nga PS-ja (Sllovakia Progresiste) do ta mbante drejtimin e njëjtë të vendit në politikë të jashtme, duke e ruajtur mbështetjen e fuqishme të Sllovakisë për Ukrainën dhe duke e vënë shtetin në kampin liberal dhe pro integrimit në BE për çështje si votimi i shumicës për ta bërë bllokun më fleksibil, politikat e gjelbra dhe të drejtat e komunitetit LGBT.
Sidoqoftë, as partia e Ficos, as PS-ja e udhëhequr nga nënpresidenti i Parlamentit Evropian, Michal Simecka, nuk pritet ta fitojnë shumicën e votave, që do të thotë se qeveria e ardhshme pritet të varet nga rezultatet e disa partive të tjera më të vogla, ku përfshihen rryma të ndryshme, nga liberalët, te ekstremistët e së djathtës.
Partia e së majtës së moderuar, Hlas (Zëri), e ish-kryeministrit Peter Pellegrini pritet të dalë e treta dhe mund të luajë rol qendror për formimin e qeverisë. Ai i ka mbajtur opsionet të hapura, por këtë javë tha se partia e tij ishte më e afërt me Ficon.
Qëndrimet pro-ruse të Ficos vijnë pas disponimit në shoqërinë sllovake, tradicionalisht i ngrohtë në masë relative ndaj Rusisë. Kjo frymë është përforcuar nga narrativa pro-ruse dhe keqinformimi në rrjete sociale.
“Fico ka përfituar nga tërë ai ankth i sjellë nga pandemia (e koronavirusit) dhe lufta (në Ukrainë), nga zemërimi i përhapur në Sllovaki gjatë tri viteve të kaluara, dhe i ka hedhur benzinë atij zemërimi”- tha sociologu Michal Vasecka.
Fico është zotuar se do t’u japë fund ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe se do të bëjë përpjekje për bisedime të paqes. Ky premtim është në vijë me atë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, por në kundërshtim me qëndrimet e Ukrainës dhe të aleatëve të saj, të cilët thonë se një gjë e tillë vetëm sa do ta inkurajonte Rusinë.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
