Niset nga Qiproja një anije e madhe me ndihma për Gazën
Një anije që është ngarkuar me ndihma që pritet të dërgohen në portin e ndërtuar nga ShBA-ja afër Gazës u nis të enjten nga Qiproja, sipas uebfaqeve për përcjelljen e transportit detar.
Anija “Sagamore” me flamur amerikan u nis nga porti Larnaca të enjten në mëngjes. Zyrtarë amerikanë kanë thënë se kjo anije do të përdoret për të shkarkuar dërgesa në portin e përkohshëm për të futur ndihma në enklavën e rrethuar, raporton agjencia “Reuters”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga autoritetet qipriote, të cilat më parë kanë thënë se anija do ta niste lundrimin porsa të përfundohej ndërtimi i portit, varësisht nga kushtet e motit.
Fushata ushtarake e Izraelit kundër Hamasit, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, e ka shkatërruar Rripin e Gazës, ku agjencitë e ndihmave paralajmërojnë se popullsia prej 2,3 milionë njerëzish po ballafaqohet me rrezikun e afërt të vdekjes nga uria.
Qiproja hapi një korridor detar në mars për të dërguar drejtpërdrejt ndihma në Gaza, ku dërgesat përmes rrugëve tokësore janë penguar rëndë nga mbyllja e kufirit dhe operacionet ushtarake izraelite.
Organizata bamirëse me bazë në ShBA, Kuzhina Qendrore Botërore, e ka shfrytëzuar këtë korridor detar dy herë para se shtatë punëtorë të saj të vriteshin nga një sulm ajror izraelit më 1 prill.