Ngrihet aktakuzë kundër ish-kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, sa mund të dënohet?
Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz, është ngarkuar me akuzën për dhënie të dëshmisë së rreme para kuvendit, tha të premten zyra e prokurorit austriak për krime ekonomike dhe korrupsion.
Kurtzi dhe ish-shefi i stafit, Bernhard Bonelli “akuzohen për dhënie të dëshmisë së rreme para të ashtuquajturit komision hetues i Ibizas në parlamentin austriak... në lidhje me korruptueshmërinë e pretenduar të qeverisë së tij”- thuhet në një deklaratë të zyrës së prokurorit, raporton agjencia “Reuters”.
Gjykimi ndaj ish-kancelarit do të fillojë më 18 tetor dhe, nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet më së shumti me tri vite burgim, thuhet në një deklaratë të një gjykate në Vjenë.
Politikani konservator u largua nga pushteti më 2021, pasi prokurorët nisën hetime ndaj tij dhe nëntë personave të tjerë nën dyshimin për shkelje të besimit, korrupsion dhe ryshfet me nivele të ndryshme të përfshirjes.
Më 2019, nënkancelari i Austrisë, ish-udhëheqësi i së djathtës ekstreme, Heinz-Christian Strache, dha dorëheqje për një video të tij në Ibiza me një grua që ishte paraqitur si mbesë e një oligarku rus, qartazi duke bërë ofertë për të kurdisur kontrata shtetërore dhe duke shpjeguar se si të shmangeshin ligjet për financimin e partive.