Ngrihet aktakuza e dytë kundër djalit të Joe Bidenit, Hunter - NACIONALE

Ngrihet aktakuza e dytë kundër djalit të Joe Bidenit, Hunter

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokurorët federalë kanë ngritur akuza për shmangie të taksave ndaj djalit të presidentit amerikan, Joe Biden, Hunter-it. Kjo është aktakuza e dytë kundër tij.

Në aktakuzën me nëntë pika thuhet se Hunter-i ndërtoi skemë për t’iu shmangur taksave federale me vlerë prej të paktën 1,4 milion dollarësh në periudhën 2016 – 2019, raporton televizioni BBC.

Në mesin e akuzave të reja janë dështimi për t’i raportuar dhe paguar taksat, kthimi i rremë i taksave dhe shmangia e vlerësimit.

Ndaj djalit të presidentit në shtator ishte ngritur edhe një aktakuzë tjetër, e cila lidhet me mbajtjen e armëve të zjarrit. Ai tashmë është deklaruar i pafajshëm për këtë akuzë.

Shtëpia e Bardhë nuk i komentoi akuzat e reja ndaj Hunter-it të enjten në mbrëmje. Hetuesi i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, David Weiss, ka qenë duke e hetuar Hunter Bidenin që nga viti 2019.

Në aktakuzën me 56 faqe të dorëzuar në Kaliforni, prokurorët pretendojnë se Hunter-i i shpenzoi paratë e tij për “drogë, eskorta dhe të dashura, hotele luksoze e prona me qira, vetura ekzotike, veshmbathje e gjësende të tjera të natyrës personale, shkurt, gjithçka përpos taksave të tij”.

Ata thonë se djali i presidentit “individualisht pranoi mbi shtatë milionë dollarë si të hyra totale bruto” nga viti 2016 deri më 2020, por “me dashje dështoi që t’i paguante me kohë taksat e tij më 2016, 2017, 2018 e 2019, pavarësisht se kishte qasje në fonde për t’i paguar disa ose të gjitha këto taksa”.

Avokati i tij, Abbe Lowell, reagoi ndaj akuzave të reja duke thënë se “nëse mbiemri i Hunter-it do të ishte ndonjë tjetër përpos Biden, akuzat në Delaware, dhe tani në Kaliforni, nuk do të ishin ngritur”.

Hunter Bideni përfundimisht i pagoi të gjitha taksat dhe gjobat në vitin 2020 – me ndihmën e një huaje nga avokati i tij personal.

Përmes një grafiku brenda aktakuzës përvijohen gjërat në të cilat Hunter-i i shpenzoi paratë e tij.

Në periudhën 2016 – 2019, ai pagoi mbi 188 mijë dollarë për “zbavitje për të rritur” dhe mbi 683 mijë dollarë për “pagesa – gra të ndryshme”, pretendohet në aktakuzë.

Hunter Bideni “vazhdoi që të fitonte bukur e të shpenzonte në mënyrë të egër më 2018”, pretendojnë prokurorët.

Në aktakuzë theksohet se ai siguroi të ardhura “substanciale”, përfshirë ato nga një kompani që ai e themeloi me një konglomerat kinez, kompaninë ukrainase të energjisë, “Burisma”, dhe me një biznesmen rumun, emri i të cilit nuk është përmendur.

Lajme të ngjashme