Netanyahu thotë se ka paqartësi për gjendjen e tri pengjeve në Gaza - NACIONALE

Netanyahu thotë se ka paqartësi për gjendjen e tri pengjeve në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se ka paqartësi për gjendejn e tri prej 24 pengjeve që më parë besohej se janë gjallë në duart e Hamasit në Gaza.

Ai tha se e di “me siguri” që 21 pengje janë ende gjallë, por statusi i tri të tjerave nuk është i qartë, raporton televizioni BBC.

Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se 24 pengje ishin gjallë para një jave, por se numri tani është 21. Ai i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë të martën dhe nuk citoi ndonjë burim e as nuk dha hollësi të mëtejme.

Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të të Zhdukurve kishte kërkuar informata. Ky forum gjithashtu i bëri thirrje Netanyahut që t’i ndërpresë planet për zgjerimin e ofensivës ushtarake në Gaza dhe, në vend të saj, të pajtohet për një marrëveshje me Hamasin për t’i kthyer 59 pengjet e gjalla e të vdekura.

Një zëdhënës i këtij forumi i bëri thirrje kryeministrit izraelit që “ta ndalë luftën deri në rikthimin e të rrëmbyerit të fundit”, duke shtuar: “Kjo është detyra kombëtare më urgjente dhe më e rëndësishme.”

Duke folur në një video të mërkurën, pas komenteve të Trumpit, Netanyahu tha: “Ne dimë me siguri se 21 pengje janë gjallë. Janë tri të tjera në lidhje me të cilat ka paqartësi për atë nëse janë gjallë.”

Javën e kaluar, kryeministri izraelit tha se shpëtimi i pengjeve është “qëllim shumë i rëndësishëm” i luftës, por se “qëllimi suprem është që të arrihet fitorja kundër armiqve tanë”./Nacionale

Lajme të ngjashme