Netanyahu thotë se Izraeli s’do t’i ndalë sulmet ndaj Hezbollahut - NACIONALE

Netanyahu thotë se Izraeli s’do t’i ndalë sulmet ndaj Hezbollahut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij “nuk do t’i ndalë” sulmet ndaj Hezbollahut në Liban pavarësisht nga thirrjet e ShBA-së, Francës e aleatëve të tjerë për armëpushim të menjëhershëm trejavor me qëllim të parandalimit të përhapjes së konfliktit që po fillon ta kaplojë Libanin.

Thirrjet për armëpushim të menjëhershëm u mbështetën të enjten mbrëma nga ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bouhabib, që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se vendi i tij po përjeton një krizë që “e rrezikon vetë ekzistencën e tij”, raporton gazeta “The Guardian”.

Kryediplomati libanez e mirëpriti nismën amerikano-frënge, duke thënë se “diplomacia nuk është gjithmonë e lehtë, por diplomacia është mënyra e vetme për të shpëtuar jetë të pafajshme... Libani e sheh nismën amerikano-frënge si mundësi për të gjeneruar momentum, për të bërë hapa drejt përfundimit të kësaj krize”.

Sulmet izraelite vazhduan në Liban edhe të enjten, duke lënë të vrarë 92 persona, përfshirë komandantin e forcës së dronëve të Hezbollahut, Mohammad Surur, ndërsa të paktën 150 raketa u hodhën nga Libani në drejtim të pjesës veriore të Izraelit, sipas ushtrisë izraelite.

“Ne po vazhdojmë që ta sulmojmë Hezbollahun me forcë të plotë dhe nuk do të ndalemi derisa t’i arrijmë qëllimet tona – kryesorja në mesin e tyre rikthimi i banorëve të veriut në mënyrë të sigurt në shtëpitë e tyre” – tha Netanyahu.

Zyra e tij më herët e kishte distancuar Qeverinë e Izraelit nga plani për armëpushim, të cilin e përshkroi si “një propozim amerikano-francez që kryeministri as nuk i është përgjigjur”.

Kjo zyrë tha se Netanyahu e kishte “drejtuar ushtrinë për t’i vazhduar luftimet me forcë të plotë, sipas planit që i është paraqitur. Luftimet në Gaza gjithashtu do të vazhdojnë derisa të jenë arritur të gjitha qëllimet e luftës”.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë që ta bindin Netanyahun për ta pranuar propozimin për armëpushim para se ai t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të premten. Ata argumentojnë se një pauzë në luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut do të mund të ofronte gjithashtu hapësirë për ringjalljen e bisedimeve të ngecura mes Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve në këmbim të një armëpushimi në Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme