Netanyahu thotë se 18 persona janë arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se 18 persona janë arrestuar deri më tani nën dyshimin se kanë dhënë ndihmë në ndezjen e zjarreve në natyrë afër Jerusalemit, të cilat vazhdojnë të jenë aktive në disa zona.
Duke folur në Jerusalem, Netanyahu tha se një i dyshuar u kap në vepër duke bërë zjarrvënie të qëllimshme, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Shërbimi i Zjarrit dhe Shpëtimit deri më tani ka thënë se shkaktari i zjarreve masive nuk është i qartë.
Netanyahu tha se zjarri “nuk është një gjë e thjeshtë, ka dëm ndaj natyrës dhe gjithashtu dëm ndaj njerëzve dhe ne jemi duke mbajtur 18 njerëz për momentin, të cilët janë të dyshuar për zjarrvënie, njëri prej tyre u kap në akt”.
Kryeministri izraelit më tej tha se “natyrisht që ne do të shënojmë sukses edhe në trajtimin e kësaj sfide. Ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi për ta mposhtur zjarrin dhe për ta rehabilituar atë që është shkatërruar”.
Pavarësisht pretendimit të Netanyahut për 18 persona të ndaluar, burimet brenda policisë u kanë thënë mediave izraelite se vetëm tre persona janë arrestuar.
Për më tepër, burimet thanë se tre personat e arrestuar nuk janë të dyshuar për përfshirje në zjarret masive në natyrë afër Jerusalemit, por për zjarrvënie në tentativë në vende të tjera./Nacionale